Rama nis vizitën në Kosovë, pritet në ceremoni zyrtare nga Albin Kurti, kryministrat shtrëngojnë duart (Video)

Kryeministri Edi Rama ka nisur sot vizitën zyrtare në Kosovë, ku është pritur në një ceremoni nga homologu i tij, Albin Kurti, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Pas ceremonisë zyrtare, dy kryeministrat kanë shtrënguar duart dhe i janë drejtuar Kryeministrisë, ku kanë nisur takimin, ndërsa më pas pritet të kenë konferencë të përbashkët për media.

Në një njoftim nga zyra e kryeministrit Albin Kurti, ndër të tjera tregohet dhe agjenda e takimit mes dy krerëve të qeverisë.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nesër, më 27 shtator 2021, duke filluar nga ora 08:50, pret me ceremoni shtetërore në Sheshin “Skënderbeu”, Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, dhe anëtarë të kabinetit qeveritar të Shqipërisë. Pas takimit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin
Kurti dhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, mbajnë konferencë për media në ora 10:20”, shkruajnë mediat në Kosovë.