Ndërsa skena ku do të mbahen fjalimet e liderëve të opozitës sot po bëhej gati, edhe kryeministria ishte në përfundim të masave para fillimit të protestës.
Institucioni ishte blinduar, fortifikimi i dyerve kishte përfunduar, ndërsa dritaret ishin kryesisht me grila mbyllur.
Ishte ky raportimi i gazetares së Euronews Albania, Eksiola Shehu rreth 2 orë para fillimit të protestës, e cila tregoi gjithashtu se kryeministri Rama ishte në zyrën e tij për shkak të disa takimeve.
“Në agjendën e tij ka disa takime në zyrë, të paktën në orët e paradites do të jetë në zyrë, ndërsa nga momenti që do të nisë protesta e në vijim mbetet për t’u parë,” – u shpreh Shehu.
Ndërkaq, gazetari Eni Ferhati raportoi se që prej orës 10 është bllokuar lëvizja në disa nga akset kryesore që të çojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
“Janë rreth 1200 forca policie në gatishmëri për mbarëvajtjen e tubimit që do të nisë në orën 12. Ka edhe forca speciale të cilat janë dislokuar në rrugën ‘Ibrahim Rugova’. Para pak minutash ka përfunduar dhe instruktazhi i policisë,” – u shpreh Ferhati, i cili sqaroi se edhe pranë Gjykatës së Apelit, aty ku pritet të jepet vendimi për vulën e PD-së ka pasur forca të shtuara policie.