Rama: Kemi sinjale të arsyeshme mbi hyrjen në Shqipëri të varianteve të reja të COVID-19

Kryeministri Rama trajtoi në konferencën për mediat disa çështje sa i përket situatës me pandeminë, masat në fuqi dhe qasjen e institucioneve për zbatimin e masave…

vaksina

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për mediat tha se kanë sinjale të arsyeshme mbi hyrjen në Shqipëri të varianteve të reja të koronavirustit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Rama trajtoi disa çështje sa i përket situatës me pandeminë, masat në fuqi dhe qasjen e institucioneve për zbatimin e masave.

“Po shohim një rritje të numrave të infektimeve, kur kemi sinjale të arsyeshme mbi hyrjen në Shqipëri të varianteve të reja të virusit COVID-19, kur po rritet infektimi i moshave më të reja dhe faktikisht po ulet edhe mesatarja e moshës së të shtruarve në spitalet COVID. Natyrisht që ne jemi shumë të motivuar që të bëjmë gjithçka që duhet në mënyrë që mos të detyrohemi të kthehemi tek masat e forta kufizuese, por për këtë duhet motivim i gjithsecilit”, u shpreh Rama.

Rama shtoi se “Ky është një moment për një përgjegjësi maksimale qytetare nga gjithsecili, sepse faktikisht ajo që po konsiderohet kudo si një tjetër valë infektimesh dhe që u vu re me numra që u rritën në mënyrë dramatike pak kohë më parë në vendet e Evropës po reflektohet tani edhe këtu”.

Ai theksoi se masat që janë në fuqi janë masa të cilat në këndvështrimin e ekspertëve të Komitetit Teknik funksionojnë, por sipas kryeministrit Rama “që të funksionojnë ashtu siç duhet, duhen zbatuar ashtu siç duhet”.

Aktualisht në Shqipëri janë në fuqi disa masa kundër pandemisë COVID-19, si kufizimi i lëvizjes së qytetarëve dhe ndalimi i aktiviteteve të bareve dhe restoranteve nga ora 22:00-06:00, mësimi online në universitete, ndalimi i grumbullimeve masive dhe pezullimi i fluturimeve me Britaninë e Madhe.

Rama u shpreh se qasja e autoriteteve të shëndetësisë dhe në tërësi e autoriteteve që janë përgjegjëse për zbatimin e këtyre masave ka qenë një qasje më shumë sensibilizuese dhe mirëkuptuese sesa represive. “Mirëpo mesa duket nga çfarë konstatohet prej autoriteteve të shëndetësisë, në javët e fundit vihet re një rënie e aranzhimit të qytetarëve, duke filluar nga vendosja maskës kudo jashtë shtëpisë. Ndërkohë do të përgatitetmi për zbatimin rigoroz të masave dhe për të parë çfarë mund të bëjmë kufizime të tjera, pa dashur kurrsesi të kthehemi tek kufizimet e forta të vitit të shkuar. Disa kufizime tjera jemi duke i studiuar”, tha Rama.

Sipas kryeministrit Rama është e konfirmuar se kompania Pfizer do të fillojë lëvrimin e sasive të tjera të vaksinave hap pas hapi, duke nisur nga mesi i shkurtit. “Vaksinat do të shtohen dhe numri i vaksinimeve do të rritet sipas kalendarit”, u shpreh Rama.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë konferencës me kryeministrin Rama tha se në javën e pestë të vitit ka një trend të lartë të rasteve të konfirmuar me COVID-19. “Një trend i cili ekspertët vlerësojnë që është i pritshëm i lidhur ngushtësisht me sezonin dimëror, me tendencën e grumbullimeve në ambiente të mbyllura, por edhe të jashtme dhe probabilisht me qarkullimin e mutacioneve të reja. Kemi dyshime të arsyeshme për qarkullimin e varianteve të reja në vend”, tha Manastirliu.

Në ditët e fundit në Shqipëri janë shënuar shifra rekord të infektimeve me COVID-19. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka konfirmuar se që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri janë regjistruar gjithsej 85.336 raste pozitive me COVID-19, mes tyre 1.460 persona kanë ndërruar jetë, 51.444 janë shëruar.