Rama: Kemi nisur bisedimet, do sjellim në Shqipëri fabrikën e prodhimit të vaksinave kineze

Ndër të tjera ai ka theksuar se deri më tani ka arritur që të sigurojnë  2 640 000 vaksina anti Covid.

Kryeministri Edi Rama gjatë pritjes së vaksinave kineze “Sinovac”, 192.000 dozat e para, ka bërë me dije se është në bisedime e sipër për të sjellë fabrikën e prodhimit të vaksinës anti-COVID.

Shefi i qeverisë në fjalën e tij ka theksuar se një fabrikë e tillë do i japë një tjetër fytyrë shëndetësisë në vendin tonë.

“Njëkohësisht kemi nisur edhe bisedat për të sjellë në Shqipëri fabrikën e prodhimit të vaksinave, një fabrikë të teknologjisë së lartë që është një nga kompanitë më të mëdha farmaceutike në botë që bën edhe distrucionin Sinovac. Një fabrikë prodhuese e cila do të hapë një tjetër faqe të rëndësishme në zhvillimin e sektorit të shëndetësisë në vendin tonë dhe do të jetë një pikë shumë e rëndësishme referimi për prodhime të cilësisë më të lartë“, tha Rama.

Ndër të tjera Rama ka theksuar se ambicia e qeverisë është vaksinimi i gjysëm milioni të qytetarëve brenda muajit maj, dhe pse thekson se për përmbushjen e këtij misioni ka vendosur fundin e qershorit.

Ndër të tjera ai ka theksuar se deri më tani ka arritur që të sigurojnë  2 640 000 vaksina anti Covid.

“Ambicia jonë është që deri në fund  të muajit qershor , por ajo që duam është që brenda majit të kemi vaksinuar gjysëm milioni qytetarë. Kemi vendosur vijën e objektivit tek afati i deri brenda qershorit. Sot në Shqipëri ne kemi aktualisht 282 mijë vaksina dhe plus vaksinave që sapo mbërritën kemi edhe vaksinat AstraZeneca, Pfizer dhe Sputnik që së bashku janë 90 mijë. Ne presim që këtyre vaksinave tu shtohen edhe 70 mijë Pfizer, 80 mijë AstraZeneca dhe 25 mijë Sputnik dhe vaksinat që janë në bashkëpunim me BE bëjnë 871 mijë vaksina sëbashku me shumën e kontraktuar të Sinovac”, ka thënë Rama.