“Rama ka dremitur pak duke parë opozitën e lodhur në Netflix”, Ervin Bushati: Duhet vetting në politikë! Ja tre reformat që duhen ndërmarrë

Ish-deputeti i PS Ervin Bushati, i ftuar në emisionin “Frontline” në News24 me gazetaren Marsela Karapanço, ka folur në lidhje me situatën politike në vend dhe atë që duhet të bëjë mazhoranca më mirë.

Ai ka renditur tre reforma që duhet të kryhen, por e ka shprehur që zgjidhja për të vënë në lëvizje kapitalin që fle në Shqipëri, nuk është Amnistia Fiskale aq shumë e mbrojtur nga kryeministri Rama.

Bushati është shprehur gjithashtu se ka ardhur koha për vetting në politikë dhe në nivelin e zyrtarëve të lartë.

“Diskutimi për Amnistinë Fiskale ka vite që është bërë pjesë e leksikut politik. Mendoj që Amnistia vjen kur të gjitha palët janë dakord, FMN, BB, BE, SHBA dhe partnerët duhet të jenë dakord. Edhe opozita duhet të ishte dakord për mos politizimin e çështjes. Ekonomia shqiptare ka bërë shumë përparime.

Ne duam të hyjmë në BE e gjithçka duam të bëjmë jemi të gjithë dakord si shoqëri.
Jemi shumë të rinj në këtë lojë.

Ka ardhur koha të kthehemi në reforma të mëdha që u lanë. U nis me Reformën në Drejtësi. Rama ka dremitur pak duke parë opozitën në Netflix. Një opozitë e tillë e lodhur e jo sfiduese që merre vetëm me veten e ka relaksuar mazhorancën. Duhen ndërmarrë 3 reforma të mëdha: Reformë e drejtë në Financa. Inflacioni e lufta kërkojnë ndryshime në fiskun e Shqipërisë. TVSH e ushqimeve s’mund të jetë 20 përqind sa makinat e luksit dhe diamantet. Jemi forcë e majtë dhe do ishte mirë të rriteshin progresiviteti për aktorët e mëdhenj në treg dhe koncesionet.

Reformë për kapitalin. Nuk është Amnistia zgjidhje për të vënë në lëvizje kapitalin që fle në Shqipëri. Bursa e Tiranës ekziston në letër por nuk funksionon.

Administratë e shtet i drejtë. Vettingu funksionoi në drejtësi, le ta bëjmë edhe me zyrtarët e lartë dhe politikanët”, ka deklaruar ai.