Paraditen e kësaj të Marte, kryeministri i Kosovës dhe kryeministri i Shqipërisë kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama u shpreh se së shpejti do të nisin përgatitjet për mbledhjen e dy qeverive që do të mbahet në Shkodër. Ai tha se do të vendoset një komision i përbërë nga ministra, për të ndjekur ecurinë e marrëveshjeve dhe identifikuar problematikat dhe adresimin e tyre në mbledhjet qeverive.
Ndërkohë kreu i ekzekutivit u shpreh i gatshëm për të hequr kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Nga ana tjetër, Albin Kurti gjatë fjalës së tij, u shpreh se sot ndodhet në Tiranë për “makro-Shengenin” shqiptar, raporton TV Klan.
“Kosova nuk do ja dilte me sukses në luftë e në paqe ndaj Serbisë pa Shqipërinë, besoj se do ta dëshmojmë se dy ta avancojmë bashkëpunimin tonë shtetëror në përmasa që i ka dëshiruar kombi ynë dhe do ta ketë rastin pikërisht me ne. Kjo ishte një temë e trajtuar shkurtimisht, meqë takimi sot ishte për “makro-Shengenin” shqiptar, se sa për “mini-Shengenin ballkanik”, u shpreh ai.
Por replika e Ramës ka qenë e menjëhershme kur tha se “makro-Shengeni” shqiptar është lidhur ngushtësisht me “mini-Shengenin” rajonal.
“Unë besoj se s’ka “makro-Shengen” shqiptar pa “mini-Shengen” ballkanik. Unë besoj se “makro-Shengeni” shqiptar është lidhur ngushtësisht me “mini-Shengenin” rajonal, sepse nëse ne jemi konsistent në vazhdën e procesit të Berlinit dhe nëse ne jemi të harmonizuar në ndërveprimin tonë, ç’ka do të bëjmë çmos, atëherë na hapet rruga që është e mbyllur prej të gjitha viteve për të pasur një hapësirë të përbashkët mes dy shteteve…”, deklaroi Edi Rama.