Qiproja Turke dhe Azerbajxhani, destinacionet e para nga aeroporti i ri i Stambollit

Drejtori i Përgjithshëm i Turkish Airlines (THY), Bilal Ekşi tha se kompania Turkish Ground Services do të punësojë rreth 1.600 persona dhe THY rreth 3 mijë persona

Drejtori i Përgjithshëm i Turkish Airlines (THY), Bilal Ekşi, duke folur për Anadolu Agency (AA), ka theksuar se kompania fluturimin e parë të saj brenda vendit do ta kryejë në Ankara dhe udhëtimi jashtë vendit është planifikuar drejt Azerbajxhanit dhe Qipros Turke nga aeroporti i ri i Stambollit.

Ekşi tha se është i lumtur për suksesin që AA marka kombëtare e Turqisë ka treguar në arenën ndërkombëtare dhe theksoi se THY mbart udhëtarë për Turqinë, ndërsa AA lajme dhe se që të dyja markat punojnë së bashku për rritjen e vendit.

Ekşi ka rikujtuar se fluturimi i parë zyrtar në aeroportin e ri të Stambollit është kryer më 21 qershor nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, dhe se ceremonia e etapës së parë të aeroportit do të mbahet më 29 tetor.

“Procesi i transferimit të THY do të nisë më 31 tetor në orën 02.00 dhe kjo do të zgjasë 12 orë”, tha Ekşi duke treguar se edhe kompanitë tjerë do të zhvendosen.

Ai njoftoi se fluturimi i parë në aeroportin e ri të Stambollit do të bëhet më 31 tetor.

– Fluturimi i parë brenda vendit në Ankara, jashtë vendit në Azerbajxhan dhe Qipron Turke.

Duke bërë të ditur se udhëtarët nuk do të kenë asnjë ndikim nga ky transferim, Ekşi ka nënvizuar se THY fluturimin e parë të saj brenda vendit do ta kryejë në Ankara dhe udhëtimi jashtë vendit është planifikuar drejt Azerbajxhanit dhe Qipros Turke.

Ai u shpreh se me aeroportin e ri sektori i aviacionit do të rritet edhe më shumë dhe theksoi se si THY ashtu edhe kompanitë që marrin shërbime do të kryejnë marrjen e personelit.

Për shkak të rritjes së operacioneve dhe rritjes së hapësirës në aeroportin e ri të Stambollit, ai tregon se do të punësohen 4.600 persona.

“Kompania Turkish Ground Services do të punësojë rreth 1.600 persona dhe gjithashtu edhe ne si THY në paralel me rritjen normale marrim çdo vit rreth 3 mijë persona.”, ka theksuar Ekşi.

Po ashtu pasi ka rikujtuar se në aeroportin e ri ka partneritete të reja, Ekşi tha se shumë nga kompanitë vendase dhe të huaja duke bashkëpunuar me THY kanë kërkuar të jenë të pranishme në aeroport dhe se janë duke vazhduar punimet në lidhje me këtë çështje.

Në vitin 2019 do të rritet edhe më shumë flota 

Ekşi tha se THY që nga viti 2003 e deri tani ka treguar rritje, ku kompania gjatë kësaj periudhe ka shënuar një rritje mesatarisht mbi 10 për qind.

“Këtë vit duke përfshirë edhe avionët e transportit (Kargo) do të marrim 14 avionë të rinj. Ndërsa avioni Neo i cili do të përfshihet për herë të parë në flotën tonë mbërrin pas 15 ditësh. Avionët Max do të vijnë më pas. Po ashtu vitin e ardhshëm do të marrim 41 avionë të rinj, të cilët do të jenë gjenerata e re. Dhe me këto avionë do të arrijmë në një nivel që të fluturojmë në vendet që nuk kemi fluturuar më parë si për shembull Ishulli Bali”, u shpreh Ekşi.

Gjithashtu Ekşi ka bërë të ditur se THY vitin e kaluar ka njoftuar se ka patur një fitim mbi 2 miliardë dollarë, ndërsa këtë vit për 6 muajt e parë të vitit ka patur një rritje me 17 për qind në numrin e udhëtarëve dhe 30 për qind në transportin kargo.

Duke nënvizuar se në fund të vitit do të deklarohet një fitim i lartë, Ekşi tha se “Do të thyhet një rekord i ri. Presim që të jetë mbi 75 milionë numri i udhëtarëve të cilin për vitin 2018 e kemi parashikuar si 74 milionë. Aktualisht vitin 2018 parashikojmë që ta mbyllim me një rezultat më të mirë dhe me një rritje rekord nga viti 2017”.