Qeveria e Maqedonisë miraton propozimin për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë

Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të dorëzojë në Kuvend propozim-ligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Republikën e Greqisë

Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të dorëzojë në Kuvend propozim-ligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Republikën e Greqisë, pasi paraprakisht në seancën e saj të sotme shqyrtoi dhe miratoi propozim ligjin në fjalë.

“Në mbledhjen e sotme të regullt, Qeveria e Republikës së Maqedonisë shqyrtoi dhe miratoi propozim-ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes përfundimtare për zgjidhjen e dallimit, siç është e përshkruar në rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, 817 (1993) dhe 845 (1993), për ndërprerjen e Marrëveshjes së Përkohshme nga viti 1995 dhe vendosjen e partneritetit strategjik mes palëve, që është me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme”, thuhet në njoftimin e Zyrës për marrëdhënie me publikun.

Qeveria njofton se propozim-ligji në fjalë do t’i dorëzohet Kuvendit për për ratifikim.

Kujtojmë se të dielën në anën greke të liqenit të Prespës, shefat e diplomacisë së Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias nënshkruan Marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit maqedono-grek për emrin dhe për partneritet strategjik, në prani të kryeministrave të të dy vendeve, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras.

Sipas marrëveshjes Maqedonia do ta ndryshojë emrin e saj në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes morën pjesë përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian (BE) dhe Kombeve të Bashkuara (OKB). Të dy kryeministrat e quajtën njëri-tjetrin miq, duke vlerësuar marrëveshjen si një ditë historike./AA