Qeveria e Kosovës së shpejti miraton vendimin për rihapjen e shkollave

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj tha se shkollat do të rihapen më 1 shtator por do të përcillet çdo ditë gjendja me rastet e reja me COVID-19 në mënyrë të parandalimit të përhapjes së madhe të virusit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është takuar sot me kryetarët e komunave për të diskutuar rreth mjeteve shtesë nga Qeveria e Kosovës për komunat, për të menaxhuar situatën me COVID-19, fillimin e vitit të ri shkollor 2020 dhe analizimin e efekteve të masave mbrojtëse ndaj koronavirusit, raporton Anadolu Agency (AA).

Hoti duke folur rreth pikës së parë për mbështetjen ekonomike për komunat, tha se është diskutuar për kriteret që duhet ndjekur në ndarjen e 10 milionë eurove për komuna e të cilat mund t’i përdorin qoftë për shkolla, qendrat e mjekësisë familjare, për ndihmën ndaj bizneseve ose për familjet sociale.

Sa i përket hapjes së shkollave, Hoti tha se ka diskutuar me ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj për masterplanin mbi arsimin, teksa paralajmëroi se së shpejti Qeveria do ta votojë atë që parasheh rihapjen e shkollave nga 1 shtatori.

“Masterplani do të kalojë në Qeveri së shpejti dhe pastaj vendimin do ta merr Ministria e Arsimit, duke i zhvilluar ato që thash më herët protokollet që tregojnë hap pas hapi se çfarë ndodhë nëse secilën prej shkollave varësisht prej numrit të nxënësve për klasë, numrit total të nxënësve në shkolla dhe çështje të tjera”, tha Hoti.

Ai ka folur edhe për masa të reja ndaj pandemisë, ku ka thënë se nuk pritet të ketë lehtësim të tyre ndërsa është shprehur i kënaqur me respektimin e atyre aktuale nga qytetarët.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj tha se kanë përgatitur masterplanin në bashkëpunim me Qeverinë, kryetarët dhe drejtorët e drejtorive komunale, shoqatën e prindërve, asociacionin e komunave në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) dhe Ministrinë e Shëndetësisë.Qeveria e Kosovës së shpejti miraton vendimin për rihapjen e shkollave

“(Plani është që) viti i ri shkollor të fillojë në fazën e parë më datën 1 shtator për parashkollorët, klasat 1,2,3, pastaj edhe për klasën 6 dhe 9. Në fazën e dytë, të fillojë më datë 7 shtator për klasën e 4 dhe 5, ndërsa në fazën e tretë të fillojë më datën 10 shtator, për klasën 7,8,9 dhe 11,12, natyrisht sipas tre skenarëve të paraqitur dhe nivelit të rrezikshmërisë”, tha Likaj.

Ai shtoi se taskforcat e komunës së bashku me ato të shkollave sipas udhëzuesit të hartuar me IKSHPK-në do të vendosin se cilin nga tre skenarët për rifillimin e mësimit do ta përdorin në shkolla.

Likaj tha se gjendja e epidemiologjisë do të përcillet çdo ditë ndërsa Ministria e Arsimit dhe IKSHPK nuk do të bëjnë plane afatgjate për më shumë se dy javë.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës kishte planifikuar gjatë këtij muaji që rihapja e shkollave nga shtatori të bëhet në tre mënyra bazë: pjesëmarrja fizike e nxënësve në shkolla me kujdes të kërkuar nga autoritetet shëndetësore, kombinim midis vijimit fizik në shkolla dhe mësimit online si dhe vetëm mësim online. Gjë e cila, siç tha Likaj, do të vendoset nga situata e shkollave në veçanti.