Qeveria e Kosovës ndan 1.1 milionë euro për ndërmarrjen “Trepça”

"Qeveria do të ndajë 1.1 milion euro për ndërmarrjen 'Trepça' për të tejkaluar situatën nëpër të cilën po kalon", bëri të ditur kryeministri Avdullah Hoti

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, së bashku me ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, zëvendësministrin e Financave, Agim Krasniqi si dhe përfaqësuesit e Bordit të Përkohshëm të “Trepçës”, mbajti një konferencë për media, në të cilën bëri të ditur ndarjen e 1.1 milionë eurove për ndërmarrjen “Trepça”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Hoti tha se situata në ndërmarrjen “Trepça” është shumë e vështirë, për shkak të pandemisë, për shkak të pamundësisë që ajo t’i shesë produktet e saj në tregjet botërore si shkak të rënies së çmimeve si dhe për arsye të “menaxhimit joadekuat dhe joefikas”.

Ai theksoi se Qeveria çdo vit e subvencionon Trepçën me nga rreth 7 milionë, por pavarësisht kësaj është dashur një mbështetje shtesë për shkak të gjendjes jo të mirë ku kompania ka aktualisht rreth 8 milionë euro borxhe.

“Qeveria do të ndajë 1.1 milionë euro për ndërmarrjen ‘Trepça’ për të tejkaluar situatën nëpër të cilën po kalon. Bordi do të ofrojë garancat e veta përmes planit të biznesit që duhet të dorëzohet shpejt në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit për mënyrën e menaxhimit të kompanisë në të ardhmen dhe në këtë plan biznesi do të jenë veprimet konkrete që do të ndërmerren nga Bordi i Përkohshëm i kompanisë karshi menaxhmentit të kompanisë për t’u siguruar që kompania nuk vjen prapë në këtë situatë”, ka thënë Hoti.

Kryeministri tha se beson që kjo ndihmë do të mundësojë tejkalimin e krizës dhe mospërsëritjen e gjendjes së rëndë.

“Në plot ndërmarrje të tjera kemi probleme pak a shumë të ngjashme, po për shkak të specifikave që ka ndërmarrja ‘Trepça’, me insistimin e ministrit e kemi trajtuar pak më ndryshe këtë çështje dhe bashkë me ministrin e Financave besoj që është gjetur zgjidhja më e mirë e mundshme në rrethanat në të cilat jemi”, shtoi Hoti.

Gjatë këtij viti, kryeshefi aktual i kësaj ndërmarrje, Hysen Vrajolli, ka thënë se në Trepçë “ka pasur rritje të prodhimit për rreth 30 për qind krahasuar me vitin e kaluar, por rënia e çmimeve në bursa dhe tregje ndërkombëtare e ka nxjerrë këtë kompani me afarizëm negativ”.

“Trepça” e cila merret me nxjerrjen e mineraleve dhe kristaleve të ndryshme në Kosovë përfshirë plumbin, zinkun dhe argjendin gjendet në Komunën e Mitrovicës, ku sektorët e saj shtrihen në pjesën e veriut dhe në atë të jugut të këtij qyteti.