Qeveria e Kosovës miraton Projektbuxhetin për vitin 2019

"Të hyrat e përgjithshme buxhetore në vitin 2019, pritet të jenë në shumën 2 miliardë e 370 milionë euro ndërsa shpenzimet në vlerë 2 miliardë e 365 milionë euro"

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2019, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një komunikatë nga zyra e Kryeministrit thuhet se qëllimi i projektligjit të miratuar nga kabineti qeveritar është përcaktimi i ndarjeve të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019.

“Projektligji parasheh një rritje të konsiderueshme të të hyrave buxhetore, që reflekton qëndrueshmërinë dhe stabilitetin ekonomik të vendit. Të hyrat e përgjithshme buxhetore në vitin 2019, pritet të jenë në shumën 2 miliardë e 370 milionë euro ndërsa shpenzimet në vlerë 2 miliardë e 365 milionë euro”, thuhet në komunikatë.

Gjatë prezantimit të Projektligjit, ministri i Financave, Bedri Hamza tha se përgatitjet e këtij propozimi të Buxhetit për vitin 2019 janë zhvilluar në pajtim me legjislacionin dhe janë në përputhje me të gjithë parametrat financiare dhe ekonomike të Kosovës.

Projektligji mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019, do të procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës.

“Në Projektligj parashihet rritje e pensioneve bazë prej 20 për qind si dhe atyre të kontributdhënësve prej 15 përqind, kurse do të rritet buxheti për prioritetet e Qeverisë për vitin 2019, siç janë mbrojtja, rendi, shëndetësia, arsimi dhe mjedisi”, njofton Zyra e Kryeministrit.