Qeveria e Kosovës miraton masa të reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19

Qeveria e Kosovës ka miratuar masa të reja për ndërprerjen e trendit të rritjes së infektimeve të reja me koronavirusin e ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se megjithëse Kosova ka filluar procesin e vaksinimit, ajo brenda muajit gusht, për disa javë, ka qenë vendi me mesataren më të lartë të vaksinimit.

Por, megjithëkëtë, Kurti tha situata në javën e fundit nuk ka qenë e mirë dhe duhet marrë masa të reja kufizuese.

“Tani kur situata COVID-19 në vend është përkeqësuar, jemi të detyruar që paralelisht me vaksinimin masiv të marrim edhe masa kufizuese që kanë për qëllim ndërprerjen e trendit të rritjes pastaj edhe uljen e shifrave”, tha kryeministri Kurti.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se propozimi i parë i masave kundër përhapjes së COVID-19, është shtyrja e fillimit të vitit të ri shkollor deri më 13 shtator.

“Në koordinim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që procesi arsimor të shtyhet deri më 13 shtator marrë parasysh se variantin Delta tani janë shtuar rastet simptomatike edhe tek fëmijët e moshës 0 deri në 10 vjeç e sidomos tek ata nga 10 deri në 20 vjeç. Gjithashtu kjo grup-moshë po paraqitet edhe si shpërndarës i infeksionit”, tha Vitia.

Ai theksoi se të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë, pavarësisht shtetësisë së tyre, tani do të jenë të obliguar të paraqesin dokumente përkatëse si: dëshminë e vaksinimit ose testin PCR të bërë në 24 orët e fundit apo testin serologjik jo më të vjetër se 30 ditë në të kundërtën do të duhet të vetizolohen për shtatë ditë.

Gastronomia, që nga dita e diel, kur pritet të hyjnë në fuqi këto masa, do të punojë vetëm në ambiente të hapura dhe deri në ora 21:30.

Qeveria miratoi edhe masën për kufizimin e qarkullimit të lirë pas orës 22:00.

Gjithashtu, të gjitha institucionet publike dhe private janë të obliguara të punojnë me staf esencial deri më 13 shtator ndërsa pas kësaj date punonjësit duhet të posedojnë dokument të vaksinimit apo testit përkatës në mënyrë që t’iu lejohet hyrja.

Ministri Vitia tha se përpos këtyre masave, nuk përjashtohet mundësia që ditëve në vijim të merren edhe masa shtesë, në varësi prej situatës epidemiologjike që do të mbizotërojë në vend.

Numri i të infektuarve në Kosovë ka shënuar shifra rekorde që nga fillimi i pandemisë gjatë kësaj jave. Deri më tani janë infektuar 141.041 persona nga të cilët 2.421 kanë përfunduar me fatalitet.