Qeveria e Kosovës heq tarifën 100 për qind për lëndën e parë ndaj mallrave serbe dhe boshnjake

"U votua me 10 vota për dhe 2 abstenime Vendimi për të liruar nga tarifa 100 për qind importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina", njoftoi kryeministri Albin Kurti

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që ta heq tarifën 100 për qind për lëndën e parë për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur nëpërmjet rrjeteve sociale se vendimi u votua me 10 vota për dhe 2 abstenime në mbledhjen e Qeverisë.

“Sonte, nga ora 24:00 do të hapen gjashtë pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, 1, 31, 3, 4, 5 dhe 6, për importimin e lëndës së parë. Kurse, deri më 1 prill Qeveria e Kosovës do të nxjerr një vendim tjetër për vënien e masave të reciprocitetit në vend të tarifës 100 për qind”, shkroi Kurti.

Vendimi i cili është bërë publik nga kryeministri Kurti, ka hyrë në fuqi menjëherë pas nënshkrimit të tij.

Ministria e Financave dhe Transfereve, Dogana e Kosovës dhe institucionet tjera relevante tani obligohen “të zbatojnë këtë vendim, në përputhje me legjislacionin në fuqi”.

Kujtojmë se, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila është në koalicion qeverisës me partinë e kryeministrit Kurti, Lëvizjen Vetëvendosje, ka kërkuar heqjen e tërësishme të tarifës 100 për qind, “ashtu siç po kërkon SHBA-ja”, si dhe kthimin në detyrë të ish-ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike nga LDK-ja, Agim Veliu.

Veliu u shkarkua nga kryeministri Kurti për arsye se “përhapi panik të panevojshme tek qytetarët rreth koronavirusit”, si dhe “mbështeti shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme”, çështje për të cilën Kurti ka qenë në kundërshtim me presidentin Hashim Thaçi.

Qeveria e Kosovës i vendosi tarifë 100 për qind mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina në nëntor të vitit 2018, si kundërpërgjigje ndaj palës serbe për shkak të fushatës së saj për ç’njohje të pavarësisë së Kosovës si dhe kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Mekanizmat ndërkombëtarë nga ajo kohë kanë kërkuar vazhdimisht heqjen e kësaj mase.