Qeveria e Kosovës e zhgënjyer për votimin kundër anëtarësimit në Interpol

"Votimi kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare i bën shërbim vetëm krimit dhe kriminelëve dhe askush nuk do të duhej t’i gëzohej këtij fakti"

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh zhgënjimin e saj të thellë pas votimit kundër për anëtarësimin e Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Interpol-it, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh zhgënjimin e saj të thellë që Kosovës i është pamundësuar të jetë pjesë e familjes botërore të Policisë, që lufton krimin transnacional”, thuhet në një komunikatë nga Zyra e Kryeministrit.

“Fushata e egër e Republikës së Serbisë dëshmoi edhe njëherë karakterin e saj kundër Kosovës dhe kundër idesë për normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës, aq më parë, kur ky anëtarësim ishte teknik dhe jo politik”, thuhet më tej në njoftim.

Sipas Qeverisë së Kosovës “Votimi kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare i bën shërbim vetëm krimit dhe kriminelëve dhe askush nuk do të duhej t’i gëzohej këtij fakti”.

Qeveria e Republikës së Kosovës më tej falënderon të gjitha shtetet që votuan për, si dhe të gjithë ata që u përpoqën ta ndihmojnë Kosovën në këtë proces. Duke njoftuar se Kosova do të vazhdojë konsolidimin e institucioneve të saj, në komunikatë thuhet se Kosova “në një të ardhme shumë të afërt do të jetë edhe anëtare e plotë e INTERPOL-it”.

Kujtojmë se sot Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it, në sesionin e saj të 87-të votoi kundër anëtarësimit të Policisë së Kosovës në këtë organizatë.