Një bonus me vlerë 300 milionë lekë, do të shkojë në mbështetje të shtetasve në nevojë.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, tha sot në komisionin e Ekonomisë, se ky bonus i shtohet paketës mbështetëse për kategoritë në nevojë, që llogaritet në një shumë totale prej 3,8 miliardë lekë.
Duke vënë përballë shifrat si fakti i pakontestueshëm, ministri Ahmetaj tha se, kjo tregon çfarë vëmendje ka kjo maxhorancë për qytetarin.
“Krahasuar me 8 vite të drejtimit të Partisë Demokratike dhe 4 vitet të drejtimit të Partisë Socialiste, rezulton se në 8 vite të PD-së, fondi adresuar kësaj kategorie ka qenë 10.5 miliardë lekë e dhënë si bonus një herë në dy vite gjatë fushatës elektorale. Ndërsa, po të shohim në 4 vite të PS-së fondi total në mbështetje të shtresave në nevojë arrin në 11,3 miliardë lekë”, tha Ahmetaj.
Ndërsa nënvizoj se, në katër vite kemi dhënë mbështetje financiare, më shumë se çka dhënë në 8 vite PD-ja.
“Ne e ofrojmë paketën e solidaritetit me një ndryshim thelbësor, nga modeli i së kaluarës, që konsiston në shpërndarjen e fondeve në shumë më madhe dhe jo duke manipuluar financat publike për efekt elektoral, siç është bërë në 8 vitet e PD-së”, tha Ahmetaj, raporton ATSH.
Sipas tij, paketa e solidaritetit është kthyer në një standard dhe kjo është arsye që qeveria e ka kthyer këtë paketë në një tregues të konsoliduar në buxhet, për të garantuar të gjithë pensionistët dhe kategoritë në nevojë që të përfitojnë mbështetje financiare.
Ministri tha se, në planet e veta qeveria kërkon që e gjithë vëmendja shkon te qytetari.