Drejtoria e Policisë Rrugore ka evidentuar veçanërisht për ditën mërkurë dhe të enjte, se në disa segmente rrugore u konstatuan bllokime dhe ngadalësime të ndjeshme të trafikut dhe qarkullimit të mjeteve.
Mit’hat Tola, Drejtor i Policisë Rrugore, përmes një deklarate për mediet sqaroi se, “bllokime dhe ngadalësime të tilla janë konstatuar në qytetin e Sarandës dhe në hyrje të qytetit të Vlorës, në aksin rrugor Sarandë – “Syri i Kaltër” dhe Sarandë – Butrint, ku edhe për shkak të përkeqësimit të motit ditën e djeshme, u shtua ndjeshëm numri i mjeteve në qarkullim në qytet, pasi pushuesit me mjetet e tyre u larguan nga plazhet”.
“Gjithashtu, mbingarkesë trafiku pothuajse konstante është regjistruar në aksin rrugor Fushë-Krujë – Lezhë, në të dy senset e qarkullimit të mjeteve. Në pjesët e tjera të akseve rrugore, shërbimet e Policisë Rrugore kanë menaxhuar trafikun e mjeteve pa vështirësi serioze”, – theksoi Tola.
“Sipas të dhënave të shërbimit të Policisë Kufitare dhe Emigracionit në 15 ditët e para të muajit gusht 2018, në pikat e kalimit kufitar në territorin e Shqipërisë janë futur rreth 100 mijë mjete, duke u shtuar dukshëm mbi numrin e mjeteve vendase dhe të mjeteve të turistëve ekzistues”, – vijoi më tej ai.
“Shërbimi i Policisë Rrugore në akset rrugore të mbingarkuara, ka vazhduar rregullimin dhe drejtimin e trafikut me orare të zgjatura – për ata drejtues mjetesh që me veprimet e tyre në shkelje flagrante të normave të sjelljes, ka marrë masat administrative në zbatim të nenit 141 “Pozicioni i mjetit në karrexhatë”, i cili përveç masës administrative me gjobë, parashikon dhe pezullim të lejes së drejtimit për një periudhë kohe 2-4 muaj”, – tha Mit’hat Tola.
“Vetëm për tri ditët e fundjavës, shërbimi i Policisë Rrugore ka ndëshkuar për këtë shkelje rreth 91 drejtues mjetesh. Shërbimi i Policisë Rrugore gjatë javës në vijim në datat 19-24 gusht, do të monitorojë dhe mbikëqyrë me patrulla të shtuara aktivitetin mjaft të rëndësishëm të “Pelegrinazhit në Malin e Tomorit” me pjesëmarrje masive të njerëzve dhe të drejtuesve të mjeteve”, – vijoi Tola.
“Nisur nga kushtet e segmenteve rrugore që të çojnë në atë destinacion malor, veçanërisht segmentet rrugore që lidhin aksin rrugor Berat – Skrapar me vendin e kultit – malin Tomorr, Drejtoria e Policisë Rrugore në mbështetje të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, kërkon vëmendjen e drejtuesve të mjeteve për një drejtim më të kujdesshëm të mjetit, mospërdorimin e pijeve alkoolike, duke treguar kujdes maksimal, për shkak edhe të kushteve të rrugës”, – tha Tola.
“Fokusi i Policisë Rrugore këtë javë do të vijojë të mbetet për shërbimin, ndihma automobilistike dhe këshillimi i drejtuesve të mjeteve, ndërkohë që në orare të caktuara do të vazhdojë kontrolli ndaj drejtuesve të mjeteve me dy rrota për mospërdorim të kaskove mbrojtëse, evidentimi dhe ndëshkimi i drejtuesve të mjeteve që përdorin aparatet celularë gjatë drejtimit të mjeteve”, – shtoi Tola.
“Tejkalimet e shpejtësisë dhe kontrollet për verifikimin e drejtuesve të mjeteve që përdorin alkool do të vijojë gjatë ditës së premte, ditën e shtunë dhe të dielë”, – vijoi Tola, raporton ATSH:.
“Java në mbyllje dhe javët në vijim, shërbimi i Policisë Rrugore në bashkëpunim me “Autoritetin Rrugor Shqiptar”, nisur nga ngjarja tragjike – rrëzimi i Urës në Genova të Italisë, ku humbën jetën 39 persona, ka filluar inspektimin e sistemeve të sinjalizimit vertikal dhe horizontal mbi tregimin e peshës së lejuar të mjeteve mbi ura si dhe në përbërje të grupeve teknike të inspektimit edhe për të verifikuar gjendjen e këtyre strukturave dhe të elementeve të sigurisë”, – tha Mit’hat Tola gjatë deklaratës për mediet.