Pushimet shkurtohen, çmimet rriten; plazhet më të shtrenjta dhe më të lira nga Jugu në Veri

Sezoni turistik veror erdhi këtë vit me rritje çmimesh për shumicën e bregdetit shqiptar. Tur-operatorët dhe vetë strukturat akomoduese raportojnë rritje mes 10-40% nga Jugu në Veri.

Për ata që duan pushime ekonomike, plazhet e Adriatikut janë alternativat më të lira me Velipojën dhe Shëngjinin.

Durrësi është për të gjithë, nga më ekonomikët tek më luksozët, kurse Jugu me çmimet më të kripura në të gjithë vijën.

Qeparoi është varianti më i lirë në Jon, kurse Palasa, Dhërmiu e Jali më të shtrenjtat. Në disa prej tyre, çmimi i një shezloni është sa çmimi i një nate në hotel.

Saranda dhe Durrësi janë dy qytetet me frekuentimin më të lartë, kurse Himara e Vlora mbeten në nivelet e një viti më parë.

Pas një viti pushim, rizgjohet edhe industria e argëtimit dhe bregdeti “vlon” nga koncertet.

Pavarësisht rigjallërimit të përgjithshëm të turizmit, operatorët e hotelerisë vërejnë se pushuesit kanë shkurtuar kohën e qëndrimit dhe kanë reduktuar shpenzimet.

Një vit më parë, thuajse të gjithë hotelet, sidomos ata me kapacitet të lartë, por jo vetëm, u fokusuan tek ofertat si një mënyrë për të tërhequr turistët pranë tyre. Durrësi “luftoi” fort me paketat “all inclusive” (të gjitha të përfshira) të cilat tërhoqën jo pak turistët e Kosovës përgjatë gjithë sezonit në qëndrime fundjavash 2-3 ditë.

Po kështu, edhe për qëndrime javore kryesisht në korrik dhe gusht. Një pjesë e hoteleve, nga ana tjetër, zgjodhën “half board” (fjetje dhe dy vakte) që sërish u pa me interes nga ana e turistëve. Për hotelet në Vlorë nuk munguan ofertat e fundjavave me dy net dhe tre ditë me mëngjes të përfshirë, si dhe (shampanjë apo verë) duke synuar tërheqjen e klientelës. Të gjitha këto mblidheshin në paketa ekonomike prej 150 eurosh për dy persona.

Krejt e kundërta po vihet re në këtë sezon. Ofertat kanë qenë të limituara vetëm gjatë qershorit kur ende sezoni kishte një ecuri jo dhe aq dinamike, ndërkohë që çmimet janë kthyer pak shumë në nivelet e vitit 2019 (një vit normal ky për turizmin) ose në nivele afër me to. Tur-operatorët raportojnë se rritja e çmimeve në raport me vitin e pandemisë po shihet si një mundësi e strukturave për të rikuperuar disi humbjet e vitit të shkuar. Por cilët janë plazhet më të lira dhe më të shtrenjta në vend.

“Monitor” ka përpunuar mesataren e poshtme dhe të sipërme të çmimeve për një pjesë të mirë të bregdetit nga Jugu në Veri sipas bisedave me tur-operatorët, përfaqësues të strukturave akomoduese apo njoftime të vetë hoteleve në rrjetet e tyre sociale, për të dalë në disa përfundime.

Veriu, më ekonomiku

Kështu Veriu i Shqipërisë vazhdon të mbetet pjesa më ekonomike, nëse do të kalosh pushimet verore. Një dhomë hoteli me kushtet elementare, për dy persona, mund ta gjesh për 20 euro/natë në Velipojë dhe Shëngjin.

Sigurisht këto dy pika ofrojnë edhe hotele më të shtrenjtë se kaq, për ata që duan disa shërbime ekstra si pishina apo arredim më të detajuar, që luhaten në 70-80 euro/natë.

Shezloni kushton mesatarisht 300-500 lekë, ndërsa te Rana e Hedhun në Shëngjin arrin në 1,000 lekë.

Durrësi, me më shumë alternativa

Më pas, Durrësi është plazhi me më shumë alternativa dhe mundësi. Ky i fundit ofron si pjesën ekonomike ashtu edhe atë mesatare apo luksoze, me disa struktura akomoduese me kapacitet të lartë. Në Durrës mund të gjesh hotele me 25 euro/nata, ndërsa në strukturat akomoduese që janë ndërtuar së fundmi, çmimi arrin në 120 euro/nata. Edhe alternativat për shezlonin janë të shumta, nga 300 -1200 lekë.

Jugu më i shtrenjti, deri në 280 euro/nata

Në Jug të vendit, Vlora dhe Qeparoi ofrojnë alternativa akomodimi të mesatares së poshtme të çmimeve prej 35 eurosh (dhe maksimumi 150 euro), duke u bërë plazhet më të lira ndërkohë që Dhërmiu, Palasa, Jali apo dhe Saranda me disa struktura këtë vit janë plazhet me çmimet mesatare më të larta se pjesa tjetër e bregdetit.

Kjo sigurisht ka të bëjë edhe me tipologjinë që kanë hotelet specifike, ku një pjesë janë vila dhe nuk jepen me dhoma.

Në Himarë mund të gjesh hotele nga 40 në 100 euro nata dhe shezlonë deri në 1,500 lekë në ditë. Në Dhërmi, një hotel kushton mesatarisht nga 80 euro në 150 euro, ndërsa për shezlonin duhet të paguash midis 1000-2000 lekë. Më të shtrenjtat janë Jali dhe Palasa, që arrijnë në 280 euro/nata dhe shezloni 50 euro në ditë.