Partia Socialiste hap këtë martën fushatën për zgjedhjet e 14 majit. “Kurrë më pas, vetëm përpara”, do të jetë slogani i kandidatëve socialistë.
Pasditen e së martës në orën 18:00 Partia Socialiste do të hapë fushatën në Tiranë për zgjedhjet lokale të 14 majit. Organizatorët kanë menduar lulishten pranë sheshit Skëndërbej si vendin ku do të prezantojnë 61 kandidatët për kryetar bashkie.
Ndryshe nga fushatat e tjera, më herët vet kryeministri Rama ka deklaruar se selia rozë këtë vit do të ketë një fushatë ndryshe, ku në fokus të saj do të jetë edhe mbjelljet e pemëve.
Për këtë, edhe e marta pasdite nuk do të jetë një hapja tradicionale e fushatës, por pas një fjale të kryeministrit, do të mbillen pemë.
Në hapjen e fushatës do të jetë i pranishëm edhe grupi parlamentar dhe Kryesia e Partisë Socialiste, e cila do të mblidhet vetëm një orë përpara se të hapet fushata.
Kryesia do të përcaktojë edhe sloganin e socialistëve për zgjedhjet e 14 majit, ku nga ajo që Euronews Albania ka mësuar pritet të jetë “Kurrë më pas, vetëm përpara”.