Protestat e opozitës, Ulsi Manja : Jemi për dialog, jo për pazare

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, i ftuar në studio televizive tha se qeveria ka qenë gjithmonë e gatshme për të dialoguar me opozitën, por pa shkelur Kushtetutën dhe datën e zgjedhjeve, 30 qershor.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, i ftuar në studio televizive tha se qeveria ka qenë gjithmonë e gatshme për të dialoguar me opozitën, por pa shkelur Kushtetutën dhe datën e zgjedhjeve, 30 qershor.

Ai u shpreh se mazhoranca është për dialog  dhe jo për negociata. “Ne e kemi bërë të qartë jo tani, por kohë më parë kur opozita ishte në bojkot të parlamentit, por edhe pasi la mandatet që jemi të gatshëm për dialog, por jo për negociatë, pasi negociatë do të thotë pazar dhe këtë ka kërkuar kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndërsa dialog do të thotë të ulesh në një tryezë bisedimesh, sigurisht pa kushte, për t’u garantuar shqiptarëve standardet më të larta të zgjedhjeve vendore”, – tha ai.

Akuzave të opozitës për mosgarantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, deputeti Manja iu përgjigj: “Opozita është në të drejtën e saj të thotë çfarë të dojë, por nuk ka të drejtë të pengojë pjesën tjetër të shqiptarëve që të shkojnë të votojnë në datën 30 qershor. Zgjedhjet e vitit 2017 edhe sipas opozitës që sot është në rrugë, garantuan standardet më të larta zgjedhore edhe sipas opozitës që dje ishte në qeveri me ne për të administruar këtë proces”.

Manja i bëri thirrje opozitës se është në kohë të regjistrojë kandidatët. “Ne nuk kemi tagrin ta shtyjmë datën e zgjedhjeve. Përmendin shtyrjen e zgjedhjeve lokale në 2007 për certifikatat. Na i kujton ne socialistëve se shtymë zgjedhjet për certifikatat me 5 javë. Po, çështja e garantimit të votës për çdo qytetar të Shqipërisë që ka mbushur 18 vjeç është detyrim kushtetues. Në atë kohë çështja e certifikatave kishte të bënte me përjashtimin nga e drejta për të votuar e qindra e mijëra qytetarëve shqiptarë. Sot nuk është ky realitet. Ne kemi shtyrë edhe afatin e skadimit të kartave të identitetit për të garantuar këtë votë deri në datën 31 dhjetor 2019. Janë dy realitete të ndryshme, por që në thelb edhe në atë kohë, kanë të bëjnë me garantimin e ushtrimit të drejtë së votës. PD është në kohë, le të shkojë të regjistrojë kandidatët derisa pa filluar afati zyrtar i fushatës”, – tha Manja.