Protestat e fuqishme në Hong Kong po organizohen nëpërmjet aplikacioneve

Shumica e thirrjeve për në protestë janë anonime dhe realizohen përmes aplikacioneve të enkriptuara të komunikimit.

Në një dhomë të vogël në një cep të një ndërtese komplekse qëndron një pjesëmarrës disi ndryshe i protestave të Hong Kong. Pas laptopit të tij, Tony, (jo emri i tij i vërtetë) monitoron grupet e komunikimit në aplikacionin Telegram dhe forumet online.

Organizatorët thonë se vullnetarë si Tony drejtojnë qindra grupe Telegram të cilat po mbajnë të gjalla protestat dhe mosbindjen civile të qytetarëve të Hong Kongut, protesta që kanë tronditur botën.

Ata thonë se mese 2 milionë njerëz kanë dalë në rrugë në javët e fundit për të shprehur kundërshtitë e tyre me një ligj kontrovers ekstradimi.

Hong Kongu ka përjetuar një seri protestash masive kundër ligjit të propozuar që kritikë thonë se është fundi i pavarësisë gjyqësore. Protestuesit shpresojnë të mblidhen në numër të madh më 1 Korrik, përvjetorin e rikthimit të Hong Kongut tek Kina.

Votimi në kohë reale

Shumica e thirrjeve për në protestë janë anonime dhe realizohen përmes aplikacioneve të enkriptuara të komunikimit.

Disa grupe kanë deri në 70,000 pjesëmarrës aktivë duke përfaqësues 1% të popullsisë së Hong Kongut. Shumica e tyre ofrojnë përditësime në kohë reale dhe raportime lidhur me protestat ndërsa të tjerë vëzhgojnë dhe japin informacion rreth vendndodhjes së policisë.

Madje ka edhe grupe të vogla përbërë nga juristë, njerëz të ndihmës së parë dhe mjekë. Ata ofrojnë këshilla ligjore dhe ofrojnë ndihma për protestuesit në vijën e parë.

Protestuesit thonë se koordinimi online është një mënyrë e shpejtë për të përhapur informacionin. Bisedat në grup madje lejojnë pjesëmarrësit të votojnë mes tyre për lëvizjen e radhës.

Mbrëmjen e 21 Qershorit afro 4,000 protestues votuan në Telegram për të vendosur nëse turmat duhet të kthehen në shtëpi në mbrëmje apo të vazhdojnë të protestojnë përpara Komisariatit të Policisë në Hong Kong. Vetëm 39% votuan që protestat të vijojnë. Edhe aplikacione të tjera kanë ndihmuar protestuesit të organizojnë aktivitetin e tyre.

Në hapësira publike, postera dhe banera shpërndahen në aktivitete përmes AirDrop, një funksion që lejon shpërndarjen e përmbajtjeve tek iPhone dhe iPad që gjenden pranë.

Këtë javë një grup aktivistësh anonimë ngritën mese gjysmë milionë dollarë nga një uebsajt financimi. Ata planifikojnë të vendosin reklama në gazeta ndërkombëtare duke kërkuar anulimin e ligjit të ekstradimit. Demonstruesit thonë se teknologjia e ka shndërruar këtë protestë pa lider në një lëvizje.

Identitet i fshehur

“Protestat nisën për shkak të rënies së besueshmërisë tek autoritetet,” shprehej Prof Edmund Cheng nga Universiteti Hong Kong Baptist. “Shumica e liderëve të protestuesve të Lëvizjes Umbrella në 2014-ën janë arrestuar dhe burgosur,” tha Ai.

Në Prill të këtij viti, nëntë liderë të këtyre protestave u shpallën fajtorë sepse kishin nxitur përplasje civile.

Por me protestat e fundit është ndryshe sepse protestuesit po përpiqen të mos lënë gjurmë dixhitale. “Po përdorim vetëm para cash, dhe nuk përdorim fare ATM-të gjatë protestave,” shprehej Johnny, një 25 vjeçar i cili ka qenë pjesë e protestave.

Ai përdor një telefon të vjetër dhe një kartë SIM të re sa herë që merr pjesë në një protestë. Një tjetër administrator grup, i cili nuk dëshironte të identifikohej, tha se disa njerëz përdorin llogari të shumëfishta për të fshehur gjurmën dixhitale të tyre.

“Disa prej nesh kanë tre apo katër telefonë, iPad, desktopë dhe laptopë. Një person mund të kontrollojë pesë apo gjashtë llogari. Njerëz e kanë të vështirë ti identifikojnë nëse është i njëjti person,” thanë për BBC.

Mbrojtje

Tony beson se vendimet e ndërmarra përmes votimeve në grupet në Telegram mund të mbrojnë individët nga akuzat. Ai argumenton se administratorët e grupeve nuk kanë lidhje me asnjë parti politike dhe nuk kanë kontroll mbi atë çfarë anëtarët postojnë në grupe.

“Qeveria nuk ka për të arrestuar çdo pjesëmarrës në protestë,” tha Ai.

Por ai e di agjencitë ligjzbatuese mund të përdorin taktika të tjera. “Ata do të zgjedhin objektiva me influencë, liderë të opinionit publike dhe për ti bërë shembull që pjesëmarrësit e tjerë të tremben.”

Më 12 Qershor një administrator i një grupi Telegram u arrestua sepse kishte konspiruar me disa persona të tjerë për të hyrë në kompleksin gjyqësor të Hong Kongut dhe bllokuar qarkullimin.

“Ata duan të na tregojnë se edhe sikur të fshihesh në shtëpi në internet, ata mund tu gjejnë dhe tu arrestojnë,” shprehej një jurist i cili përfaqëson në gjykatë disa të arrestuar. /PCWorld Albanian