Profesionet më të kërkuara në vend, kryeson fasoni dhe call center

Numri total i punonjësve të rinj që do të shtohen gjatë këtij viti është vlerësuar në rreth 44 mijë persona, ose 10,8% të forcës aktuale të punës, sipas të dhënave nga Agjencia Shtetërore e Punësimit dhe studimeve të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, të realizuara nga PNUD. Industria e prodhimit të veshjeve kontribuon më së…

call center

Numri total i punonjësve të rinj që do të shtohen gjatë këtij viti është vlerësuar në rreth 44 mijë persona, ose 10,8% të forcës aktuale të punës, sipas të dhënave nga Agjencia Shtetërore e Punësimit dhe studimeve të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, të realizuara nga PNUD.

Industria e prodhimit të veshjeve kontribuon më së shumti, teksa call center shihet të jetë sektori më aktiv për të rekrutuar punonjës të rinj, i ndjekur nga guroret dhe shërbimet administrative.

Vetëm sektori fason këtë vit kërkon 20 mijë punonjës shtesë. Ndërsa i gjithë sektori i Call Center, duke përfshirë bizneset e mëdha e të vogla të kësaj fushe, kanë shprehur preferencat të punësojnë rreth 1000 punonjës të rinj këtë vit.

Pas rrobaqepësive dhe punonjësve të call center, duket se kamerierët janë profesioni më i ofruar në vend. Punëdhënësit janë pesimistë për gjetjen e punonjësve të rinj, sidomos në disa aktivitete specifike të shërbimeve, si informacioni dhe komunikimi dhe punonjës profesionistë, shkencorë dhe teknikë. Më e lehtë për të gjetur punonjës është në Rajonin Qendror sesa në tre rajone të tjera të Lindjes, Jugut dhe Veriut. Punëdhënësit deklaruan se e kanë të vështirë për të gjetur punonjës me aftësi, përvojë, korrektesë, integritet dhe motivim për llojin e punës që bëjnë.

Banka Botërore, në një studim të fundit, tha se përmirësimi i aftësive për disa profesione në tregti dhe shërbime mund të realizohet nëpërmjet trajnimeve të shpejta. Disa vende zhvilluan shpejt programe të shkurtra trajnimi për të adresuar presionet e menjëhershme të kërkesës, shkaktuar nga pandemia COVID-19. P.sh. në Mbretërinë e Bashkuar u aplikuan trajnime për të rinjtë e papunë, për të dhënë ndihmën e parë mjekësore në raste të urgjencave. U krijua një grup punonjësish që kontrollonin komunitetet për zbatimin e masave të distancimit social. Trajnimet që zgjatën dy javë, krijuan një fuqi të aftë që vlejti për menaxhimin e pandemisë në Britani.

Në Shtetet e Bashkuara, po zbatohen programet “Rapid Skilling”, që synojnë tranzicionin profesional dhe teknik për të zhvendosur punëtorët në profesione aktualisht të kërkuara. Industritë e shërbyera përfshijnë prodhimin, logjistikën dhe shpërndarjen, shitjen me pakicë dhe profesionet e lidhura me sigurinë industriale. Programet synojnë veçanërisht të rriturit me aftësi dhe të ardhura të ulëta. Trajnimi mund të zgjasë 5-7 orë dhe rezulton në një kredencial të njohur edhe CV-të e tyre.

Programi “Punëtori Sezonal i Përhershëm” në Kroaci ofron mbështetje financiare për punëtorët sezonalë në periudhën jashtë sezonit dhe lejon përfituesit të marrin pjesë në programet arsimore dhe trajnime të ofruara nga shërbimet publike kroate të punësimit në periudhën jashtë sezonit.

Në Shqipëri, bujqësia dhe turizmi janë një kontribuues i madh në ekonomi dhe një burim i rëndësishëm punësimi. Gjithashtu sektorët janë ofrues të mëdhenj të punës sezonale, ndaj trajnimet mund të rrisin mundësinë për punësim të përhershëm dhe të rrisin produktivitetin për punonjës./B.Hoxha