Eksportuesit shqiptarë po përpiqen të rrisin eksportet e bulmetit dhe të produkteve të tjera ushqimore në Kinë. Në muajin qershor, Kina nënshkroi një marrëveshje për të blerë më shumë produkte shqiptare.
Vendi europian do të ofrojë mjaltë, mish dhe produkte të tjera bujqësore për tregun kinez.
Pjerin Shoshi është drejtor i Drejtorisë së Programeve të Zhvillimit të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore dhe Zhvillimit Rural, pranë Ministrisë së Bujqësisë.
“Produktet që eksportojmë sot në Kinë janë kryesisht bimë mjekësore, verë dhe produkte të tjera. Ne si ministri po bëjmë përpjekje t’i japim eksportit një impuls të ri përfshi produktet si mish, bulmet dhe mjaltë. Po negociojmë me palën kineze për nënshkrimin e një protokolli të karantinës që do të lejojë tregtimin e këtyre produkteve mes dy palëve”, tha ai për CRI, raporton ATSH.
Vitin e kaluar, Kina ishte një nga partneret kryesore tregtare të Shqipërisë. Vëllimi tregtar ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë zuri mbi 6 për qind të vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme të Shqipërisë.