Problemet e tetraplegjikut/ Gani Qeleposhi kërkohet në Tiranë por nuk lëviz dot nga shtrati

Kjo është dosja mjekësore e Gani Qeleposhit, banor i fshatit Babinë të Tropojës, i diagnostikuar si Tetraplegjik.

Komisioni Epror, KMCAP-i (Komisioni Mjekësor i Vlerësimit të Aftësisë për Punë) i ka kërkuar pacientit të paraqitet në Tiranë, por tek dera e institucionit gjetëm vetëm vëllanë e tij zotin Nderim që na tregon arsyen se përse i sëmuri nuk është paraqitur siç i është kërkuar.

Nderim Qeleposhi, vëllai i të sëmurit: Prej 4 vjet e gjysmë unë jam shoqëruesi i vëllait tim të sëmurë. Ai pësoi një traumë në tru, ka humbur shikimin , ka probleme mendore. Pre 4 vjet e gjysmë qëndron i shtrirë, është më plagë në trup, i bie lëkura, është me pampersa dhe kateter. Ushqimin e ha shtrirë, mbi gjoks. Kempi i qytetit të Bajram Currit i ka caktuar ndihmën prej prej 270 mijë lekë të vjetra, ndërsa mua si shoqërues më kanë dhënë 110 mijë lekë. Ai është i braktisur ndaj kujdesem unë për të dhe jam bërë si nënë për trupin e tij. Kempin e vëllait ma kanë ndërprerë qysh në muajin shtator të vitit të shkuar dhe më kanë thënë se duhet ta paraqesim sot në Komisionin Epror të sëmurin. Doktorët e qytetit të Bajram Currit e kanë verifikuar të sëmurin që nuk lëvizet dot nga shtrati.

U paraqita unë, por në mënyrë kategorike nuk më pranuan, dhe më thanë se duhet vetëm i sëmuri këtu. Nuk e kishin kërkuar herë tjetër, dhe nuk e di arsyen pse po e kërkojnë këtë herë. Ata e dinë arsyen. Kjo pagesa 100 euro ka të bëjë me skanerin që i kemi bërë vëllait. Ma kërkuan doktorët e Bajram Currit dhe më thanë ta bëja në Gjakovë, pasi në Kukës nuk punon skaneri. Unë jam futur në borxhe të mëdha, gati 1 milionë e 600 mijë lekë, për gjithçka që lidhet me shërbimin për vëllanë tim të sëmurë. Unë nuk e sjell dot vëllanë këtu. Është si të ngresh një të vdekur dhe ta sjellësh ta shikojnë doktorët që ta besojnë. Unë i lutem institucioneve që të më ndihmojnë dhe që vëllai im të jetojë sa i ka taksur jetë Perëndia.