Prishtinë, shënohet Dita e Evropës

"Rinia e Kosovës për momentin është duke u dënuar duke mos pasur të drejtë të udhëtojë në vendet e Evropës", tha shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova

Me aktivitete të ndryshme nga të rinjtë kosovarë në sheshin “Adem Jashari” të Prishtinës është shënuar 9 Maji, Dita e Evropës, raporton Anadolu Agency (AA).

Pjesëmarrës në panairin e organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, kanë qenë shefja e BE-së për Kosovën, Nataliya Apostolova, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha si dhe përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Apostolova, tha se në këtë ditë festojnë vlerat e përbashkëta evropiane, teksa tha se nuk ka ndonjë arsye për të mos festuar këtë ditë edhe të rinjtë kosovarë, të cilët sipas saj janë më evropianë se shumë të rinj të vendeve tjera evropiane.

Por, e pyetur nga AA se çfarë mendon për një të ri kosovar që nuk e ka vizituar asnjëherë as edhe një vend evropian, Apostolova pranoi se rinia kosovare momentalisht është duke u dënuar me regjimin e vizave.

“Ju keni të drejtë kur thoni që rinia e Kosovës për momentin është duke u dënuar duke mos pasur të drejtë të udhëtojë në vendet e Evropës. Unë flas në emër të institucioneve që unë i përfaqësoj siç janë Komisioni Evropian dhe Komisioni i Jashtëm i BE-së. Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret që kërkohen andaj dhe e kemi thënë këtë në raportin tonë dhe i ka përmbushur 95 kriteret prandaj edhe ne kemi shpresa që kjo do të ndodhë. Tani është në duar të shteteve anëtare, ne e kemi kryer punën tonë dhe e kemi promovuar liberalizimin e vizave për Kosovën”, tha Apostolova.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, nuk dha ndonjë afat për pritshmërinë e saj rreth liberalizimit të vizave. Hoxha minimizoi procesin e liberalizimit të vizave duke thënë se qëllimi madhor i Kosovës është anëtarësimi i saj në BE.

“Liberalizimi është vetëm një hap shumë i vogël. Është shumë i rëndësishëm për qytetarët tanë. Por, është një hap shumë i vogël drejt procesit të integrimit evropian, anëtarësimit evropian. Pra, për neve është shumë me rëndësi që ne të synojmë qëllimin madhor që e kemi: anëtarësimin. Dhe ta shpejtojmë rrugën tonë dhe kjo bëhet vetëm me reforma dhe zbatimin e mirë të ligjeve me sundim të ligjit duke luftuar krimin, korrupsionin dhe këto janë vlerat të cilat ne duhet t’i tregojmë”, tha Hoxha.

Në panair pati edhe performanca të drejtpërdrejta nga studentët e Akademisë së Muzikës, punime artistike për fëmijë, vizatime si dhe aktivitete të tjera argëtuese.

Dy të rinj kosovarë shfrytëzuan rastin për të protestuar gjatë këtij panairi. Ata me pankarta në duar përçuan mesazhe ku shkruante: “Faleminderit Evropë për asgjë”.