Prishtinë, instalacion me emrat e 1.639 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë

Instalacioni i vendosur në shesh, përfshinë edhe emrat e personave të zhdukur nga komunitetet jo shumicë në Kosovë...

Në Ditën e Personave të Pagjetur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë janë vendosur emrat e 1.639 personave ende të pagjetur që nga periudha e luftës e vitit 1999 në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Instalacioni me emrat e të pagjeturve të luftës u vendos nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut Kosovë (YIHR), me rastin e 27 Prillit.

Në aksionin e vendosjes së objektit në shesh, kanë marrë pjesë edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, po ashtu edhe disa nga familjarët e personave të zhdukur.

Nga YIHR theksuan se instilacioni i vendosur në shesh, përfshinë edhe emrat e personave të zhdukur nga komunitetet jo shumicë në Kosovë.

Me rastin e shënimit të 27 Prillit, gjatë ditës, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti si dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca bënë nderime në Memorialin e të Pagjeturve, duke u zotuar në mbështetje institucionale si dhe sjellje para drejtësisë të atyre që “dhanë urdhra për gjenocidin në Kosovë”.