Është hapur në Prishtinë tenda tradicionale nga Fondacioni Eyüp Sultan me mbështetje edhe nga kompanitë turke për shtrimin e iftareve për qytetarët e Prishtinës dhe më gjerë, raporton Anadolu.
Sikurse për shumë vite me radhë, edhe gjatë këtij Muaji të Ramazanit, çadra ka zënë vend afër Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në qendër të kryeqytetit kosovar, ku shumë qytetarë individualisht dhe në grupe shkojnë për të ngrënë iftare falas.
Koordinatori i Fondacionit Eyüp Sultan, Iskender Yanova, në një deklaratë për Anadolu tha se me organizimin e iftareve merren tash e 17 vjet.
“Aktualisht po ushqejmë 3.000-3.500 njerëz në Prishtinë dhe Mitrovicë. Ne e filluam këtë organizim duke ardhur nga Eyüp Sultani i Istanbulit. Jemi në këtë punë tash e 17 vjet, fondacioni ynë është bërë shumë i njohur dhe jep shumë ndihma. Ne ndihmojmë mijëra njerëz dhe dërgojmë ushqim në shtëpitë e tyre. Në këtë tendë aktualisht po sigurojmë ushqim për 2.000 persona”, tha Yanova.
Yanova po ashtu theksoi se organizimi i iftarit është mbajtur me mbështetjen e kompanive turke që operojnë në Kosovë dhe Türkiye.
Këtë tendë gjatë javës e vizitoi edhe ambasadori i Türkiyes në Kosovë, Tunç Angılı, i cili bëri iftar së bashku me prishtinasit.