Prezantohet përfaqësuesja e re e BERZH në Shqipëri

Gjithashtu, ai vlerësoi dhe linjën e kredisë prej 100 milionë eurosh që iu akordua Agjencisë Shqiptare të Sigurimit të Depozitave (ASD), si një mjet shtesë mbrojtës që ndikon në rritjen e stabilitetit të sektorit bankar në vend dhe të sigurisë së klientëve.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko zhvilloi të enjten një takim me një delegacion të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me qëllim prezantimin e përfaqësueses së re të Përhershme të Zyrës së këtij institucioni në Shqipëri, Ekaterina Solovova. Ajo do të zëvendësojë në këtë detyrë Matteo Colangeli, që e përfundon mandatin e tij.

Ekaterina Solovova i është bashkuar BERZH-it për herë të parë në vitin 2004 në ekipin e Telekomunikacionit, Medias dhe Teknologjisë, duke vazhduar karrierën e saj në industrinë e kapitalit privat në Londër në 2006. Në vitin 2012 ajo u rikthye pranë BERZH, në rolin e Kryetares së Zyrës Rezidente në Samara, Rusi. Zj. Solovova ka vijuar karrierën e saj në Bankë duke mbajtur pozicione të larta, si këshilltare e Presidentit dhe, së fundmi, në Ekipin e Kapitalit Privat.

Guvernatori Sejko vlerësoi BERZH-in për asistencën teknike që i ka ofruar Bankës së Shqipërisë, kryesisht në fushat e mbikëqyrjes bankare dhe stabilitetit financiar.  Ai u ndal tek projekti i ri që do të mbështesë Bankën e Shqipërisë në përpjekjet e saj për përafrimin e kuadrit rregullator dhe mbikëqyrës për institucionet e kreditit me standardet e Bashkimit Evropian, duke adresuar boshllëqet që do të identifikohen përmes asistencës teknike.

Gjithashtu, ai vlerësoi dhe linjën e kredisë prej 100 milionë eurosh që iu akordua Agjencisë Shqiptare të Sigurimit të Depozitave (ASD), si një mjet shtesë mbrojtës që ndikon në rritjen e stabilitetit të sektorit bankar në vend dhe të sigurisë së klientëve.

Në vijim, Guvernatori kreu një ekspoze të panoramës ekonomike në vend të fokusuar në ndikimin e pandemisë në ecurinë ekonomike, zhvillimet në sistemin financiar e bankar, si dhe pritshmëritë lidhur me treguesit ekonomikë në të ardhmen. Treguesit e institucioneve zyrtare flasin për një rimëkëmbje të shpejtë të ekonomisë gjatë vitit 2021, e cila pritet të vazhdojë edhe në vitet në vijim.

Ai prezantoi më tej masat e marra nga Banka e Shqipërisë në përgjigje të goditjes së krijuar nga pandemia, ku mund të përmendet rritja e stimulit monetar, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit dhe rritjes së injektimeve të likuiditetit, si dhe ndryshimet në kuadrin rregullator, të cilat patën për qëllim lehtësimin e shtyrjes së përkohshme të pagesës së kësteve dhe ristrukturimin e kredive bankare për klientët në vështirësi.

Përfaqësuesit e BERZH vlerësuan pozitivisht politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë në përgjigje të situatës së krijuar nga COVID-19, si dhe për kontributin e saj në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit, përmirësimin e ambientit të kreditimit e kuadrit mbikëqyrës e rregullator, dhe përafrimin e tij me standardet më të mira ndërkombëtare. Më në veçanti u vlerësuan politika e Bankës së Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit dhe shëndetit të bankave, pavarësisht sfidave dhe vështirësive me të cilat u përball Shqipëria gjatë periudhës së pandemisë dhe më herët. /monitor