Presidentja Osmani shpreh mospajtime me raportin e KE-së për Kosovën rreth çështjeve të sundimit të ligjit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media të mbajtur në Presidencë, ka folur rreth Raportit të Progresit 2021 për Kosovën të Komisionit Evropian (KE), transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidentja Osmani shprehu disa mospajtime me ato që u publikuan në raport sa i përket sundimit të ligjit në vend, konkretisht procesit të vetingut, rendin dhe ligjin, duke përfshirë veriun e Kosovës.

Sa i përket vetingut, KE konstatoi se rivlerësimi i plotë dhe i njëhershëm i të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve paraqet një burim shqetësimi serioz, por me këtë nuk pajtohet presidentja Osmani.

“Si presidente e vendit nuk pajtohem fare me këtë konstatim. Në fakt mungesa e vetingut do të ishte shqetësim serioz e jo përmbushja e këtij procesi”, tha Osmani në konferencë, e cila tha se vetingu jo vetëm që është i rëndësishëm, por edhe i domosdoshëm, ngase është kërkuar edhe vetë nga Bashkimi Evropian (BE).

Ajo tha se vetingu në Kosovë duhet të vazhdojë të bëhet, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.

Duke folur rreth sundimit të ligjit në komunat veriore ku ka shumicë të qytetarëve të etnitetit serb, Osmani tha se KE edhe këtë vit sikurse vitet e kaluara konsideron se situata në këto komuna është sfiduese sa i përket korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe situata paraqet sfidë për agjencitë ligjzbatuese në Kosovë.

Osmani kërkoi nga zyrtarët e BE-së t’u qëndrojnë besnik deklaratave në mënyrë që kur institucionet e Kosovës luftojnë krimin, korrupsionin, kontrabandën në çdo cep në veri, ta kenë “përkrahjen dhe jo kundërshtimin e tyre”.

Lidhur me këtë, Osmani tha se e ka mirëpritur qëndrimin e përbashkët të përfaqësuesit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Joseph Borrell, dhe Sekretarit amerikan të Shtetit Anthony Blinken, të cilët deklaruan se e mbështesin angazhimin e Kosovës për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, e gjithashtu kanë dënuar dhunën ndaj civilëve, gazetarëve dhe policisë që ndodhi gjatë javëve të fundit në veri të vendit.