Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani që po merr pjesë në samitin e liderëve evropian është shprehur se nuk do ta takojë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nëse më parë nuk sanksionohet shteti serb.
“Nuk ka arsye për t’u takuar para se të ndërmerren sanksionet ndaj Vuçiçit, fillimisht sanksionet dhe më pas mund të flasim për të tjerat”, u shpreh Osmani për mediat.
Presidentja e Kosovës dhe presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiç ndodhen në Granadë të Spanjës, ku sot takohen rreth 50 liderë evropianë, në kuadër të një mbledhjeje të zgjeruar të quajtur Komuniteti Politik Evropian, me fokus në përmirësim të bashkëpunimit, pavarësisht përkeqësimit të konflikteve dhe tensioneve në kontinent.
Ky takim vjen pas sulmit të 24 shtatorit në veri të Kosovës, ku një grup personash të armatosur serb sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë efektivin Afrim Bunjaku.
Autorësinë për organizimin e sulmit e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe Milan Radojçiç, i cili u arrestua nga Serbia, por u lirua brenda 48 orëve.