Presidentja e Kosovës uron Muajin e Ramazanit

Në një komunikatë për media nga Zyra e Presidentit, Osmani ka thënë se kombi shqiptar e ka mënyrë jetese solidaritetin ndër vete...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ua ka uruar të gjithë besimtarëve muslimanë Muajin e Ramazanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një komunikatë për media nga Zyra e Presidentit, Osmani ka thënë se kombi shqiptar e ka mënyrë jetese solidaritetin ndër vete.

“Sot kur besimtarët muslimanë e fillojnë Muajin e Ramazanit, të gjithë do ta kenë mundësinë për ta manifestuar shpirtin solidar duke ndarë diçka nga tryeza e tyre për të tjerët, për njerëzit në nevojë”, thuhet në urimin e presidentes.

Presidentja Osmani ka përmendur edhe pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19), duke theksuar se do t’i mbajë njerëzit larg njëri-tjetrit fizikisht, por se “nuk do të ndalojë që zemrat tona të bëhen bashkë”.

Për një festë së bashku në fund të Ramazanit, presidentja Osmani tha se është e nevojshme që të gjithë t’i respektojnë masat anti-COVID-10, t’i mbajnë maskat, t’i dezinfektojnë duart e të mos grumbullohen.

“Të kujdesemi për njerëzit, sepse vetëm në këtë mënyrë festa do të ketë̈ kuptim! Ky muaj i sakrificës dëshmon se njerëzit kanë vullnet të jenë për tjetrin, duke i dhënë kuptim përmbajtjes njëmuajshe nga ushqimi dhe duke sjell në vëmendje se të mirat ka mundësi gjithnjë të ndahen me të tjerët”, thuhet tutje në urimin e Osmanit.

Thirrje drejtuar besimtarëve muslimanë që t’i respektojnë masat anti-COVID-19 nga Qeveria e Kosovës sot gjatë ditës u ka bërë edhe kreu i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava. Ai tha se “është obligim i ynë që ta ruajmë veten, familjen e shoqërinë nga infektimi”.

Kryeministri Kurti uron besimtarët muslimanë, apelon për solidarizim duke respektuar masat kundër COVID-19

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar besimtarët muslimanë me rastin e fillimit të Muajit të Ramazanit.

Në mesazhin e tij në rrjetet sociale, Kurti ka shkruar se “për katërmbëdhjetë shekuj, muslimanët në të gjithë botën e kremtojnë këtë muaj, duke e përmbajtur veten nga ushqimet e të mirat e përditshme, me motivin e lartë të sakrificës dhe bashkëndjenjës me të dobëtin, të varfrin dhe të sëmurin”.

“Agjërimi për besimtarin është sfidë fizike dhe psikike. Është shembulli i sundimit të mendjes mbi trupin. Është muaji kur stomaku i zbrazët, nga lindja deri në perëndimin e diellit, shoqërohet me shpirtin e ushqyer nga mirësia e mirësjellja, veprat e fjalët e mira, dashuria e paqja me njëri-tjetrin”, ka theksuar Kurti.

Më tej, Kurti përmendi se Muaji i Ramazanit edhe këtë vit na gjen “në rrethana të rënduara të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), që vazhdon të marr jetë njerëzish anembanë globit.

“Dashurinë dhe solidaritetin me tjetrin gjatë këtij muaji të bekuar, do të mund ta shprehim më së miri duke marrë përgjegjësi për ruajtjen e shëndetit tonë dhe të më të dashurve tanë nga virusi i rrezikshëm”, ka apeluar kryeministri i Kosovës.