Presidenti turk Erdoğan arrin në Argjentinë për samitin e G20-tës

Në kuadër të samitit, Erdoğan pritet të zhvillojë takime bilaterale me liderë të tjerë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare

 Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, arriti në kryeqytetin e Argjentinës, Buenos Aires, për të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të G20-tës, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan u prit në Aeroportin Ezezia në Buenos Aires nga ministri argjentinas i Kulturës Pablo Avelluto dhe ambasadorja turke në këtë vend Meral Barlas.

Në udhëtimin e tyre, presidenti turk dhe bashkëshortja e tij Emine Erdoğan u shoqëruan nga ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu, ministri i Thesarit dhe Financave Berat Albayrak dhe ministri i Mbrojtjes Hulusi Akar.

Tema diskutimi në samit, që do të mbahet më 30 nëntor dhe 1 dhjetor, do të jenë tregtia, rritja ekonomike, ndryshimet klimatike, migracioni, terrorizmi dhe çështje të tjera me rëndësi globale.

Në kuadër të samitit, Erdoğan pritet të zhvillojë takime bilaterale me liderë të tjerë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.

Pas samitit, Erdoğan do të vizitojë Paraguajin dhe Venezuelën më 2 dhe 3 dhjetor, ka njoftuar presidenca turke.

Vizitat në Paraguaj dhe Venezuelë do të jenë të parat në nivel presidencial.