Presidenti Meta takon kryeparlamentarin e Kosovës

Presidenti Meta theksoi gjatë takimit se Kosova ka nevojë imediate për konsensus politik të brendshëm dhe gjithëpërfshirës në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, priti në një takim delegacionin e kryesuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Meta theksoi gjatë takimit se Kosova ka nevojë imediate për konsensus politik të brendshëm dhe gjithëpërfshirës në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë, thuhet në njoftimin e Presidencës së Shqipërisë.

“Situata kërkon që shumica qeverisëse të krijojë një klimë më gjithëpërfshirëse në raport me opozitën, por edhe opozita duhet të marrë përgjegjësitë e veta ne këtë moment historik. Në këtë proces të rëndësishëm kërkohet bashkëpunim shumë më i ngushtë me partneret tanë strategjikë të angazhuar për stabilitetin, sigurinë dhe të ardhmen evropiane të rajonit”, tha Meta, theksohet në njoftim.

Kryeparlamentari i Kosovës u takua edhe me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ku gjatë deklaratës së përbashkët për mediat, Ruçi tha se Shqipëria do të vazhdojë mbështetjen pa rezerva për dialogun Kosovë-Serbi.

Veseli shoqërohet në këtë vizitë nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi.