Presidenti Meta bëhet kthen për rishqyrtim ligjin për shembjen e teatrit

Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur ditën e djeshme thirrjes së opozitës për të bllokuar ligjin për teatrin...

Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur ditën e djeshme thirrjes së opozitës për të bllokuar ligjin për teatrin. Kreu i shtetit ka kthyer dje për rishqyrtim në Kuvend ligjin, duke u bërë në njëfarë mënyre palë me kreun e PD, Lulzim Basha, ish-kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi. Në njoftimin e publikuar në faqen e Presidencës thuhet se presidenti ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit për teatrin e ri dhe fton Kuvendin e Shqipërisë, të rishqyrtojë në tërësi ligjin. Ndërkohë që ka renditur 9 pika sipas të cilave, projektligji për teatrin duhet rishqyrtuar në parlament. Sipas Presidentit, ligji shkel parimet e barazisë ekonomike dhe nuk është në harmoni me parimet kushtetuese. “Paracaktimi i drejtpërdrejtë me ligj nga Kuvendi i një operatori ekonomik, me të cilin shteti ka zgjedhur të bashkëpunojë për të kryer një punë publike, duke shfrytëzuar dhe tjetërsuar pasurinë publike, pa iu nënshtruar më parë një procesi transparent të hapur konkurrimi, shkel parimin e barazisë përpara ligjit dhe cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë lirinë e veprimtarisë ekonomike. Trajtimi preferencial që i bëhet me ligj të veçantë kompanisë propozuese, në raport me shtetasit dhe subjektet e tjerë, që do të dëshironin të ishin pjesë e një konkurrimi të ndershëm për të hartuar qartë propozimet e tyre me qëllim që në të ardhmen t’u krijohej mundësia për të ndërtuar një partneritet me autoritetet publike për zhvillimin e tyre ekonomik, është shkelje e hapur dhe e drejtpërdrejtë e këtyre parimeve kushtetuese”, thuhet në njoftim.

Meta thumbon Bashkinë e Tiranës

Presidenti Meta në argumentet e tij nuk ka nguruar që të thumbojë edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në njoftimin e kreut të shtetit, thuhet se ligji për teatrin nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre. “Qeveria shqiptare dhe Bashkia e Tiranës, duhet të tregojnë përkushtimin e tyre për krijimin e mjediseve në dobi të aktorëve dhe të publikut, duke synuar ndërtimin e godinave të reja funksionale bashkëkohore, por njëkohësisht pa dëmtuar trashëgiminë e krijuar ndër vite në kompleksin e godinave ekzistuese të Teatrit Kombëtar, pasi një humbje e tillë do të ishte përfundimisht e parikuperueshme në të ardhmen. Presidenti i Republikës, vlerëson se në lidhje me këto çështje kaq të ndjeshme, të gjitha argumentet duhet të ballafaqohen vetëm me studime shteruese shkencore, teknike dhe ligjore në ruajtje të trashëgimisë dhe vlerave historike kombëtare”, thuhet në njoftim, raporton Sot.

Mungesa e Gjykatës Kushtetuese

Presidenti ka ngritur si shqetësim edhe mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe faktin se ky institucion është pothuajse i shkrirë dhe se sipas tij, nuk ka kuorumin e nevojshëm të anëtarëve për të verifikuar apo bërë në njëfarë mënyre audit ligjit. “Në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk është funksionale për të verifikuar këto konstatime, apo për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kushtetuese që mund të prodhojë hyrja në fuqi e kësaj norme të veçantë ligjore, ftoj Kuvendin e Shqipërisë, të rishqyrtojë në tërësi ligjin nr.37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, thuhet në njoftim. Megjithatë, gazeta mësoi se mazhorancë në 3 shtator pritet që të rrëzojë dekretin e Metës.