Presidenti Macron pritet me ceremoni nga homologu Begaj

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron është pritur me ceremoni të lartë shtetërore nga homologu shqiptar presidenti Bajram Begaj.

Kreu i shtetit francez erdhi të hënën pasdite në Tiranë, ndërsa u prit nga kryeministri Edi Rama në Pallatin e Brigadave ku dhe i dorëzoi shkrimtarit Ismail Kadare, dekoratën e “Oficerit të Madh të Legjionit të Nderit”.

“Për këtë rol si poet i Ballkanit, si rapsod i Europës, si lajmëtar i lirisë, për këtë lidhje drithëruese që ju mishëroni kaq çmueshëm mes Shqipërisë dhe Francës, kam nderin sot t’ju ngre në gradën e oficerit të lartë, në urdhrin e Legjionit të Nderit”, u shpreh presidenti Macron.

Pas takimit me Begajn, Macron do të mbajë një konferencë për mediat me kryeministrin Edi Rama.

Në orën 10:30 kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Francës Emmanuel Macron do të nënshkruajnë marrëveshjet ekonomike dhe bashkëpunimi mes dy vende.