Presidenti i Maqedonisë Ivanov shpreh mirënjohje për TIKA

"Në emrin tim, bashkëshortes time, delegacionit tim dhe të gjithë atyre që kanë përfituar nga investimet e TIKA-s në Maqedoni i shpreh mirënjohjet e mia Agjencisë", tha Ivanov

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ka shprehur mirënjohje për punimet e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Maqedoni, raporton Anadolu Agency (AA).

Ivanov i cili gjendet në Turqi për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, pas vizitës së TIKA-s i shoqëruar nga bashkëshortja dhe delegacioni, dha deklarata për gazetarët.

“Në emrin tim, bashkëshortes time, delegacionit tim dhe të gjithë atyre që kanë përfituar nga investimet e TIKA-s në Maqedoni i shpreh mirënjohjet e mia Agjencisë”, tha Ivanov, duke e falënderuar TIKA-n në emër të mijëra qytetarëve të Maqedonisë të cilët kanë përfituar nga projekte të ndryshme të TIKA-s.

Ai gjithashtu bëri të ditur se mes bisedimeve mes TIKA-s dhe delegacionit nga Maqedonia janë nënshkruar shumë projekte të reja dhe theksoi se në saje të aktiviteteve të TIKA-s veçanërisht në fushën e sigurisë janë shpëtuar jetët e fëmijëve të vogël dhe foshnjave.

Presidenti i Maqedonisë Ivanov potencoi se spitali kardiovaskularë për fëmijët që TIKA do të hap në Maqedoni do të jetë i pari në Ballkan.

“Projekti i nënshkruar ka një rëndësi simbolike sepse nëse investoni në shëndetin e gjeneratave të reja investoni në të ardhmen. Tashmë në këto momente dhjetra fëmijë lindin dhe fëmijët që lindin sot në saje të këtij projekti do të kenë një jetë që mund të jetojnë në shekullin e 22-të. Fëmijët për të cilat TIKA kontriboi sot edhe në shekullin e 22-të do ta kujtojnë TIKA-n”, u shpreh Ivanov.