Presidenti Erdoğan fillon vizitën në Kirgistan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan sot ka nisur vizitën e tij tre ditore në Kirgistan.

 Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan sot ka nisur vizitën e tij tre ditore në Kirgistan, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Erdoğan sot me avionin special “TUR” arriti në kryeqytetin e Kirgistanit, Bishkek.

Ai u prit me një ceremoni zyrtare në Aeroportin Ndërkombëtar “Manas” në Bishkek nga presidenti i Kirgistanit, Sooronbay Jeenbekov.

Pasiqë presidenti Erdoğan dhe bashkëshortja e tij Emine Erdoğan, si dhe presidenti Jeenbekov dhe bashkëshortja e tij Aygul Jeenbekov morën vendet e tyre në hapësirën ceremoniale në Sallën e Nderit u intonuan himnet kombëtare të të dyja shteteve.

Erdoğan dhe Jeenbekov pas përshëndetjes së gardës ceremoniale, e njoftuan njëri tjetrin me delegacionet shoqëruese.

Erdoğan në vizitën e tij në Bishkek po shoqërohet nga ministri i Punëve të Jashtme Mevlüt Çavuşoğlu, ministri i Mbrojtjes Kombëtare Hulusi Akar, ministrja e Punës, Shërbimeve Sociale dhe Familjes, Zehra Zümrüt Selçuk, ministri i Rinisë dhe Sportit Mehmet Muharrem Kasapoğlu, ministrja e Tregtisë Ruhsar Pekcan, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Cahit Turhan, kreu i shërbimit të Inteligjencës së Turqisë (MIT), Hakan Fidan, zëdhënësi i presidencës İbrahim Kalın dhe zv/kryetari i përgjithshëm i Partisë, AK Cevdet Yılmaz.

Në ditën e parë të vizitës së tij tre ditore, Erdoğan do të realizojë një takim kokë më kokë me presidentin e Kirgistanit Jeenbekov, ndërkaq më pas do të marrë pjesë në Takimin e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Strategjik (YDSK).