Digjet dhe raundi i dytë i votimit për Presidentin e ri të vendit. Afati i vendosur deri në orën 16:00 të ditës së sotme ka kaluar pa asnjë emër të propozuar nga PS dhe opozita.
Konferenca e Kryetarëve e mbledhur të martën e kaluar vendosi që sot deri në orën 16:00 kandidatët me 20 firma deputetësh të depozitoheshin në Kryesinë e Kuvendit dhe më tej nesër do të mblidhet Komisioni i Ligjeve fillimisht paradite që të shqyrtojë emrat dhe pasdite kuvendi për votim.
Megjithëse java nisi me një pakt mes maxhorancë dhe opozitës që i jepte kësaj të fundit të drejtën që të propozojë kandidatë në raundin e dytë dhe të tretë, konsensusi zgjati më pak se 48 orë.
Mëngjesin e të premtes grupi parlamentar socialist shpërndau një deklaratë të shkurtër ku kujtonte se, dakordësia mes palëve është që opozita të sjellë një emër në raundin e dytë dhe të tretë, i cili duhet të vijë me firma mbështetëse.
Kjo do të thotë se të hënën në Parlament, deputetët duhet të votojnë për një emër të ardhur me firmat e të paktën 20 deputetëve të opozitës. “Dy dite me pare kemi rene dakord qe ne raundin e dyte dhe te trete ne nuk do propozojme kandidat dhe i takon opozites te propozoje. Propozimi per President duhet te vije dhe me firma mbeshtetese nga opozita. Nese presidenti nuk zgjidhet ne keto dy raunde, ne raundin e katert do te propozojme ne. Takimi ka qene publik dhe kjo eshte dakordesuar ne prani te mediave”, thuhet në deklaratën e PS-së.
Por nga ana tjetër, demokratët kanë reaguar përmes nënkryetares së grupit parlamentar, Oriola Pampuri e cila ka publikuar edhe njëherë pikën 4 të dokumentit të PD-së, sipas të cilës PS-ja ka rënë dakord.
“Dakordësimi i PS me dokumentin e PD për propozimin dhe nënshkrimin e firmave për kandidatin për president e përcakton qartë se emri final që propozohet për raundin e dytë duhet të ketë mbështetjen e të gjitha palëve ose e thënë qartë do të bashkëpropozohet. Zoti Balla në takimin dypalësh në sy të gazetarëve dhe kamerave, ra dakord që të pranojë fiks siç është dokumentin e propozuar nga grupi i PD”, shkruan Pampuri.
Në pikën 4 thuhet se “Një Komision i përbërë nga 6 anëtarë: 3 shumica parlamentare dhe 3 pakica parlamentare, shqyrtojnë 2 kandidatët e përzgjedhur dhe bien dakord për përzgjedhjen dhe propozimin e përbashkët të njërit prej kandidatëve. Kandidatura e përzgjedhur i nënshtrohet votimit në seancë plenare”.
Sipas saj “pra tashmë PS ka veç një zgjedhje: të mbështesë me firma kandidaturën e propozuar nga opozita dhe dakordësuar në negociata mes palëve. Rruga tjetër është po ashtu vetëm një: Të bëjë atë që di të bëjë më mirë, të shkelë rregullat e dakordësuar prej saj. Këtë e përcakton qartë pika 6 e dokumentit të Grupit të PD: Shkelja e njëanshme e rregullave të procedurës i njoftohet zyrtarisht shumicës parlamentare dhe publikohet menjëherë. Në rast të mosriparimit të shkeljes ose në rast të shkeljes së përsëritur të tyre, opozita parlamentare tërhiqet nga pjesëmarrja e mëtejshme në proces duke treguar publikisht edhe shkakun”.