President konsensual apo unilateral ?

Nga Redi Shehu

Sot, të gjitha panelet televizive dhe temat e debatit politik, janë përqëndruar në ngjarjen e radhës, atë të zgjedhjes së Presidentit të ri te Republikës pas mbarimit të mandatit të z. Ilir Meta si president aktual. Kërshëria e të gjithëve fokusohet te fakti se cili do të jetë kandidati që do të pasojë një mandat presidencial i cili për nga lloji i vet ka qenë nga më kontroversët në historinë e politikës moderne shqiptare. Kjo dilemë e gjen kontekstin politik si dhe atë parlamentar pas zgjedhjeve të 25 Prillit me një maxhorancë të blinduar prej minimalisht 77 mandatesh, bashkë me PSD-ne, gjë që e bën krejt të lehtë përfundimin e kësaj dileme. Sipas kushtetutës së Shqipërisë, presidenti zgjidhet me pesë raunde votimi, ku tre te parat janë me maxhorancë të cilësuar prej 84 votash dhe nëse dështojnë të parat, dy raundet që pasojne, jane me maxhorancë te thjeshtë prej 71 votash. Pra, maxhoranca socialiste, i nis këto negociata mes palëve politike, me premisën e të qënurit të sigurtë për dy raundet e fundit nëse dështojnë tre të parat, por duke qenë se për socialistët, arritja e një marrëveshjeje konsesuale në tre raundet e para do ta bënte më të besueshme dhe me gjithpërfshirëse këtë proçedurë, ata do të tentonin të gjenin një konsesus për këtë.

Gjetja e një figure konsesuale për President të Republikës në Shqipëri, është një mision pothuaj i pamundur, për shkak të mjedisit të hiperpolitizuar dhe kontradiktor i cili nuk arrin të prodhojë konsensus për aktet më bazike politike, jo më për zgjedhjen e një presidenti të tillë. Ajo që e bën të posaçme gjithë këtë panoramë kësaj radhe, është konteksti në të cilën ndodhet opozita dhe në mënyrë të veçantë Partia Demokratike, e cila është ndarë në dy blloqe konfliktuale të cilat duket se janë shumë larg një konsensusi të brëndshëm. Pra, kërkohet një konsensus i madh politik për zgjedhjen e presidentit në kohën kur njëra palë në bisedime nuk ka gjetur akoma konsensusin brënda saj.

Demokratët jane ndarë në një bazë demokratësh e cila mbështet z. Berisha dhe pjesën më të madhe të grupit parlamentar prej 30 vetësh të cilët kundërshtojnë prezencën e z. Berisha. Maxhoranca ka deklaruar publikisht se nuk njeh grupin e Foltores për të filluar negociatat, gjë që le të kuptohet se nëse do të ketë një marrëveshje në tre raundet e para me maxhorancë të cilësuar, atëhere do të ishte një marrëveshje mes grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe pjesës prej 30 deputetësh me në krye z. Alibeaj. Këta të fundit, do të ndiheshin të kompleksuar të bashkonin votat për një president konsensual, sepse do të etiketoheshin nga grupi i Rithemelimit si bashkëpunëtore dhe vasalë me regjimin e Ramës. Prandaj edhe zgjidhja konsensuale duket e vështire, së pari, siç e thamë, vështirësia për gjetjen e një figure të pranuar nga palët, dhe së dyti, për shkak të krizës së opozitës.

Unë mendoj se para se të fillohet dhe të gjendet një figurë e tillë, politika shqiptare duhet paraprakisht të përcaktojë se çfarë kupton ajo me një president konsensual, apo cili është vizioni i saj për Presidentin e Republikës? Ku janë limitet dhe kompetencat e tij? Ajo që ka ndodhur me mandatin e z. Meta, nuk ka dëmtuar thjesht figurën e Presidentit, por ka dëmtuar konceptin tonë se si Presidenti i Republikës duhej të sillet ndaj palëve politike. Janë dy ngjarje që ndodhën së fundmi. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e cila le të themi shkarkoi shkarkimin që Parlamenti i bëri z. Meta, dhe nga ana tjetër, kemi qëndrimet e këtij të fundit gjatë mandatit të tij, si një lloj i rrallë i sjelljes politike. Këto, janë dy preçedentë të cilët e bëjnë akoma më të komplikuar konceptin tonë për Presidentin. Nga njëra anë kemi preçedentin e thyerjes së asnjanësisë se figurës së Presidentit nga z. Meta duke qenë tërësisht i njëanshëm dhe politikisht i pozicionuar me opozitën, dhe nga ana tjetër, kemi vendimin Gjykatës Kushtetuese e cila si preçedent i thotë çdo presidenti të ardhshëm se mund të sillet në të njëjtën mënyrë, pa rrezikuar shkarkimin.

Është e vërtetë se formati i Presidentit ka qenë më i vogël se formati politik i z. Meta. Ai është ndjerë gjithmonë ngushtë brënda atij kostumi, por ama, arroganca e Presidentit nuk ka ndihmuar në zvogëlimn e arrogancës së pushtetit, përkundrazi i ka dhënë këtij të fundit një alibi të përkryer për të justifikuar veprimet e veta. Jo vetëm kaq por z. Meta ka bërë thirrje antikushtetuese për kapjen e sepatave dhe sfurqeve për të sulmuar qeverinë duke prishur tërësisht konceptin e unitetit kombëtar dhe duke nxitur urrejtje e përçarje të paprecedentë, për të mos folur pastaj për përpjekjet për të shtyrë afatin kushtetues të zgjedhjeve lokale të vitit 2019. Ajo që duket se është e sigurtë, është se maxhoranca nuk do ketë më telashin e një presidenti si Meta. Maxhoranca me të gjitha gjasat e ka të projektuar me kohë figurën e presidentit apo presidentes së ardhshme.

Duke u nisur nga fakti që z. Rama i pëlqejnë suprizat jo vetëm politike por edhe estetike si dhe nga fakti që ai qeverinë e re të pas 25 Prilllit e mbushi me jo pak por 67% gra, nuk përjashtohet mundësia që President i Republikës të jetë një grua. Maxhoranca me të gjitha gjasat nëse nuk do të mundet t’i imponojë grupit parlamentar demokrat të Alibeajt për t’i marrë një votë konsensuale për kandidatin e saj, atëhere do të përdorë mekanizmin e votimit me maxhorancë të thjeshtë për zgjedhjen e presidentit. Kjo, nuk do të bënte një përjashtim nga rregulli i përhershëm ku president ka qenë gjithmonë njeriu i maxhorancave, përveç z. Moisiu i cili ngelet akoma presidenti i vetëm konsesual i dalë nga marrëveshjet politike dhe i pa angazhuar në politikë.