E ndjerë në presion politik dhe mediatik, Prokurorja e Përkohshëm e Përgjithshme, Arta Maku tha se nuk do arrinte të bënte asgjë më shumë në krye të akuzës. Përpara Këshillit të Lartë të Prokurorëve ajo foli për takimet me kryeministrin Rama, kur opozita protestonte në rrugë.
Marku tha se në dy vite, ka punuar në një terren të vështirë, për shkak edhe të mungesës së hallkave në sistemin e drejtësisë, ndërsa pranoi se arrestimi i Agim Kajmakun dëshmon se ajo nuk ka varësi nga politika.
Ka qenë një periudhë e vështirë për shkak të reformës në zhvillim e sipër, për shkak të mungesës së institucioneve kushtetuese. Pritshmëritë e publikut kanë qenë të larta. Për shkak të kompetencave të kufizuara unë nuk kam arritur të realizoj pritshmëritë, sepse hetimi është jashtë kompetencave të Prokurorit të Përgjithshëm. Këtu nuk i kam realizuar pritshmëritë, por jo për shkak të vullnetit dhe aftësisë time, por për shkak të reformës dhe kompetencave”, tha Arta Marku
Prokurorja e Apelit, Fatjona Memçaj pranoi se numri i madh i shkarkimeve nga vettingu do të sjellë problem ndërsa deklaroi se fakti që ajo kaloi me sukses këtë proces është dëshmi se nuk ështe pjesë e konjukturave politike.
Seancën e pyetjeve e ka mbyllur prokurori Olsian Çela. Me një platformë konkrete ai foli për rolin që duhet të ketë Prokurori i Përgjithshëm.
“Pavarësia e prokurorit është shumë e rëndësishme. Nga përvoja që kam marrëdhënie drejtues-vartës ka qenë një nga problemet kryesore me të cilat zyrat e prokurorive janë përballur dhe shpesh herë kanë krijuar ato problemet brenda zyrave dhe deformimeve të caktuara jo thjesht të vullnetit të prokurorit, por ndoshta edhe në interpretimit të ligjit në mungesë të hetimit. Ligji i ri iu dha mundësi prokurorëve që të jenë vetëvetja, mos fshihen më pas drejtuesit”, tha kandidati Çela
Ditën e enjte pritet që Këshilli të bëjë publike listën me renditjen sipas pikëzimit të tre kandidatëve konkurrentë në këtë garë. /A2cnn