“Populli sirian pret lajme të gëzueshme nga ne”

"Populli sirian, që tashmë tetë vjet përpiqet të mbijetojë nën hijen e armëve, pret nga ne lajme të gëzueshme për zgjidhje politike permanente", tha Erdoğan në samitin e katërt trepalësh rreth Sirisë

Populli sirian pret të dëgjojë rezultatet e mira të samitit trepalësh mbi Sirinë të mbajtur nën pjesëmarrjen e udhëheqësve të Turqisë, Rusisë dhe Iranit, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

“Populli sirian, që tashmë tetë vjet përpiqet të mbijetojë nën hijen e armëve, pret nga ne lajme të gëzueshme për zgjidhje politike permanente”, tha Erdoğan në samitin e katërt trepalësh rreth Sirisë në qytetin bregdetar rus Soçi, në të cilin marrin pjesë edhe presidenti rus Vladimir Putin dhe ai iranian Hasan Ruhani.

Erdoğan tha se Turqia ka bërë më të mirën për popullin sirian që nga fillimi i luftës dhe ka siguruar ndihmë prej 35 miliardë dollarësh në çdo fushë.

“Pavarësisht të gjitha problemeve, mosmarrëveshjeve e madje edhe disa provokimeve, kemi mbrojtur me vendosmëri frymën e Astanas (procesit të paqes)”, tha presidenti turk.

“Ashtu sikurse ne përpiqemi të ndalim gjakderdhjen në Siri, po ashtu disa të tjerë përpiqen fshehurazi vazhdimin e konflikteve. Duke vepruar me zgjuarsi, mendjemprehtësi dhe pajtim, ne këtyre qarqeve nuk ua dhamë mundësinë që prisnin”, shtoi Erdoğan.

– “Rusia, Turqia dhe Irani përpjekje për normalizimin e jetës në Siri”

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se tashmë gati në gjithë Sirinë është duke u ruajtur regjimi i jokonfliktualitetit.

Putin theksoi se është formuar një mekanizëm shumë produktiv mes Rusisë, Turqisë dhe Iranit. “Tashmë gati në gjithë Sirinë është duke u ruajtur regjimi i jokonfliktualitetit. Ky është një rezultat i yni i përbashkët konkret dhe pozitiv. Rusia, Turqia dhe Irani përpiqen bashkërisht për normalizimin e jetës në Siri”, tha Putin.

Presidenti rus gjithashtu tërhoqi vëmendjen se formati i Astanas i formuar nga këto tre shtete dhe OKB-ja janë duke dhënë përpjekje intensive për formimin e komitetit kushtetues në Siri.

“Astana u bë mundësi për procesin e një zgjidhjeje të përhershme politike në Siri. Është tejet e rëndësishme që edhe komiteti kushtetues i Sirisë për shkurt kohë të filloj punimet e tij” u shpreh ai.

Ai gjithashtu duke folur edhe në lidhje me zhvillimet në verilindjen e Sirisë dhe në Idlib, tha se: “Problemet e sigurisë në verilindje të Sirisë, duhet të zgjidhen në kuadër të respektit ndaj integritetit territorial të Sirisë. Duhet të dakordohemi në lidhje me pakësimin e tensionit në Idlib. Por kjo nuk do të thotë se duhet të durojmë praninë e terroristëve”.

– Ruhani: SHBA fatkeqësisht mbron grupet terroriste në Siri dhe Irak

Presidenti i Iranit Hassan Rouhani u shpreh se në samit është diskutuar rëndësia e Sirisë së shpëtuar nga intervenimi i huaj dhe kërcënimi terrorist, dhe është theksuar integriteti territorial.

“SHBA fatkeqësisht mbron grupet terroriste në Siri dhe Irak. Përpiqet të arrijë qëllimin duke i përdorur strukturat terroriste.”

Erdoğan, Putin dhe Ruhani u takuan për të diskutuar përpjekjet e përbashkëta të zhvilluara në terren dhe brenda procesit politik nga platforma e Astanas, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit sirian.

Samiti i parë trepalësh u mbajt në Soçi në vitin 2017.

Turqia, Rusia dhe Irani janë vende garantuese që ndërmjetësuan një armëpushim në Siri në dhjetor të vitit 2016, duke çuar në nisjen e bisedimeve në Astana të Kazakistanit, të cilat vazhdojnë paralelisht me bisedimet e Gjenevës.

Siria është përfshirë nga një luftë e dhunshme civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Asadit u intervenoi ndaj protestuesve me një ashpërsi të papritur.

Që atëherë, qindra mijëra njerëz besohet të jenë vrarë dhe miliona të jenë shpërngulur si pasojë e konfliktit.