Politikë dhe koronavirus/ Shkarkohet prefekti i Shkodrës, qeveria dërgon zv.ministrin Lamallari, Lleshaj: Rama ka besim tek ai, dorë e shtrirë për bashkëpunim

Shkarkohet nga detyra prefekti i Shkodrës Çesk Millja dhe në vend të tij është vendosur zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari. Shkak për shkarkimin është situata e koronavirusit në qytet.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka njoftuar lëvizjen e re politike në qarkun e Shkodrës. Shkarkohet nga detyra prefekti i Shkodrës, Çesk Millja dhe vend të tij është vendosur zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.

Në një deklaratë për shtyp, së bashku me zv.ministrin, Lleshaj tha se arsyeja kryesore për shkarkimin e Milljes ka qënë situata e koronavirusit, duke mos shtuar motive të tjera. Lidhur me emërimin e ri, Lleshaj tha se Lamallari kishte besimin e plotë të qeverisë për detyrën e re, duke e konsideruar si një dorë të shtrirë për bashkëpunim.

“Qeveria i beson zv.ministrit të tij, Besfort Llamallarit detyrën e koordinimit dhe menaxhimin e situatës për koronavirusit në Shkodër. Rama ka besim se Lamallari do ta kryejë këtë detyrë. Ftoj të gjithë aktorët që ndjejnë përgjegjësi për fatin e këtij qyteti që të bashkëpunojnë me Lamallarin. Ka besimin e plotë të qeverisë, besimin tim dhe mbështetjen e plotë të qeverisë.,”-tha Lleshaj në deklaratën e tij për shtyp.

PJESË NGA FJALA E MINISTRIT LLESHAJ:

Kemi vendosur lirimin nga detyra të prefektit të qarkut të Shkodrës, Çesk Milljas. Vendimi është marrë në një përpjekje për një mbështetje ndaj masave për tejkalimin e situatës së krijuar nga covid-19. Nëse keni shprehur rezerva për gjendjen në Shkodër, kjo do të thotë që të gjitha vërejtjet nuk i janë adresuar vetëm bashkisë. Në mënyrën sesi kanë funksionuar apo nuk kanë funksionuar gjëra në Shkodër, kanë përgjegjësinë e tyre edhe drejtues të dëgëve territoriale dhe vetë prefekti si përfaqësuesi i qeverisë atje. Për fat të keq është vërejtur inerci e papranuesshme, mungesë lidershipi në situata të tilla. Drejtuesi duhet të marrë përgjegjësi dhe vendime. Situata të tillë kërkojnë iniciativë dhe vendimmarrje. Për menaxhimin e situatës është arsyja kryesore e shkarkimit të prefektit. Për të menaxhuar situatën, qeveria ka vendosur zv.ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallarin. Do të ketë detyrën e bashkëpunimit me kryetarët e Bashkive për daljen nga gjendja e pandemisë. Komanidimi i një zyrtari të lartë është shprehja e rëndësisë që i kushtohet gjendjes në qarkun e Shkodrës. Kam besim se drejtuesit e bashkive do ta vlerësojnë si shenjë kujdesjeje. Dua t’ju kërkoj kryebashkiakëve në qarkun e Shkodrës, që këto momente të kalojnë në plan të dytë për t’u fokusuar tek Shkodra se të gjitha vogëlsitë. Rama ka besim të plotë se zoti Lamallari do ta kryejë këtë detyrë. Kryeministri dhe qeveria shqiptare kanë shumë plane për Shkodrën. Nuk mungon vizioni, idenë apo planet. Duke e konsideruar këtë hap si një tjetër dorë të shtrirë për bashkëpunim, ftoj të gjithë aktorët që ndjejnë përgjegjësi për fatin e këtij qyteti që të bashkëpunojnë me Lamallarin. Ka besimin e plotë të qeverisë, besimin tim dhe mbështetjen e plotë të qeverisë.

Javët e fundit, Shkodra është kthyer në qytetin më të prekur nga koronavirusi, përveç Tiranës. Kryebashkiakja nga radhët e PD-së, Voltana Ademi ka ngitur zërin se qeveria nuk ka bashkëpunuar me organet vendore duke pneguar në marrjen e masave për përhapjen e koronavirusit. Ademi është shprehur se në Shkodër nuk janë dërguar ndihma ushqimore për familjet në nevojë dhe nuk janë dërguar përforcime për të patrulluar rrugët e qytetit gjatë orëve të karantinës. Si pasojë, Shkodra tani shënon 52 raste me koronavirus, ndërkohë që numri rritet çdo ditë.