Policia në aksion, arrestohet një shofer autobusi, hiqen 35 certifikata

Policia e Shtetit njofton se ka kryer kontrolle në mjetet e transportit publik dhe për pasojë është arrestuar në kushtet e flagrancës 1 shofer autobusi, pasi gjatë kontrollit policor i ka paraqitur agjentit verifikues një leje drejtimi të falsifikuar.

Po ashtu janë tërhequr 35 certifikata transporti, pasi janë konstatuar duke ushtruar aktivitetin në linja të ndryshme nga ato për të cilat disponojnë certifikatat e transportit, shkruan Gazeta Ekspress.

Jan tërhequr 15 leje drejtimi, për drejtim mjeti me mangësi në regjistruesin e shpejtësisë dhe kohës, si edhe janë vendosur 78 masa administrative për pasagjerë mbi kapacitetin e lejuar, proceduar 54 mjete të shërbimit publik pasi janë konstatuar duke marrë pasagjerë në autostrada dhe rrugë interurbane kryesore.

Policia njofton se janë tërhequr 22 licenca për mjetet e transportit publik taxi, pasi janë konstatuar duke qarkulluar në kundërshtim me kushtet dhe kufizimet e përcaktuara në licencë, janë proceduar 25 mjete të përdorimit vetjak, pasi janë konstatuar duke transportuar pasagjerë pa lejen përkatëse, si dhe janë vendosur 235 masa administrative për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor, ndaj drejtuesve të mjeteve të shërbimit publik.