Policia daneze përdori gaz lotsjellës ndaj protestuesve në mbështetje të Palestinës

Zyrtarët e zbatimit të ligjit të Kopenhagës shpërndanë protestuesit pranë Ambasadës së Izraelit

Policia daneze shpërndau një grup protestuesish në kryeqytetin e saj të premten, që ishin mbledhur për t’u solidarizuar me Palestinën, raporton Anadolu Agency (AA).

Protesta, e cila filloi nga stacioni i trenit Svanemollen me ecjen e një grupi të vogël, ishte planifikuar të përfundonte në Ambasadën e Izraelit, ndërsa pas fjalimeve, ndodhi një përplasje midis demonstruesve dhe policisë para ndërtesës diplomatike.

Policia ndërhyri pasi u dëgjua një shpërthim i fortë me mjete të hedhura disa herë pas kordonit të policisë që u formua rreth ambasadës. Policia përdori gaz lotsjellës mbi demonstruesit e mbledhur në shesh.

Disa gra dhe fëmijë në mesin e demonstruesve u prekën nga gazi lotsjellës.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit më pas shpërndanë protestuesit duke përdorur forcë.

Ndërsa disa demonstrues u kthyen në vendin ku filluan demonstratat dhe vazhduan të hidhnin parulla kundër Izraelit, të tjerët valëvitën flamuj palestinezë në rrugët e Kopenhagës dhe kërkuan liri për Palestinën.

Rreth 4.000 njerëz morën pjesë në demonstratë, sipas informacionit të televizionit shtetëror danez, DR, të marrë nga forcat e sigurisë.

Ditët e fundit forcat izraelite kanë sulmuar palestinezët që protestojnë në shenjë solidariteti me banorët e lagjes Sheikh Jarrah të Kudsit Lindor, të cilët u urdhëruan të dëbohen nga një gjykatë Izraelite.

Forcat pushtuese gjithashtu bastisën Xhaminë Al-Aksa gjatë namazeve të veçanta të natës gjatë muajit të shenjtë musliman të Ramazanit.

Situata u tensionua në lagjen Sheikh Jarrah në Kudsin Lindor të okupuar gjatë muajit të kaluar ndërsa kolonët izraelitë u futën pas një urdhri gjykate për dëbimin e familjeve palestineze në zonë.

Kohët e fundit, tensionet u përshkallëzuan më tej, duke u zhvendosur nga Kudsi Lindor në Gaza pasi grupet palestineze të rezistencës atje u zotuan për hakmarrje ndaj sulmeve izraelite në Xhaminë Al-Aksa dhe Sheikh Jarrah nëse nuk ndaleshin.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967 dhe aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, veprim ky që nuk është njohur kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.