Policia aksion blic në Durrës, kontrolle ndaj lokaleve që ushtrojnë baste ‘online’, ka të arrestuar

Burime thonë se aksioni është shtrirë veç Durrësit, edhe në qytetet e tjera të vendit.

Në vazhdën e operacionit të koduar “Gjysmëfinalja”, Policia e Durrësit ka arrestuar 2 persona.

Policia njofton se shtetasit B. M., 36 vjeç dhe Xh. P., 27 vjeç janë vendosur në pranga, pasi gjatë kontrolleve i janë gjetur materiale që vërtetonin se ushtronin aktivitetin e lojërave të fatit në lokalet e tyre.

Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i Policisë:

Vijojnë kontrollet në zbatim të planit masave për evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit.

Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, për veprat penale “Organizim i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe Komisariateve në vartësi të saj, në kuadër të planit të masave për evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të personave që ushtrojnë veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit, kanë ushtruar kontrolle në ambiente e lokale të ndryshme si rezultat i të cilëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve

B. M., 36 vjeç, banues në Durrës, administrator i një lokali në lagjen nr.17, Durrës, gjatë kontrollit në telefonin e tij celular u gjetën disa foto të lotove të sportit.

Xh. P., 27 vjeç, banues në Durrës, pronar i një lokali në lagjen nr 17, Durrës, pasi dyshohet se ushtronte aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.