Plani i Paqes Ukrainë, refuzon Rusia

Samiti i G20-s i nisi punimet në Bali të Indonezisë, me thirrjet kundër luftës në Ukrainë. Presidenti Zelensky u kërkoi udhëheqësve botërore të ndalin konfliktin tani dhe të mbështesin një plan të pranueshëm paqeje. Por çfarë parashikon plani i paqes, për të cilin Zelensky kërkoi mbështetjen e udhëheqësve botërore? Sipas një transkripti të ndarë nga…

Samiti i G20-s i nisi punimet në Bali të Indonezisë, me thirrjet kundër luftës në Ukrainë. Presidenti Zelensky u kërkoi udhëheqësve botërore të ndalin konfliktin tani dhe të mbështesin një plan të pranueshëm paqeje.

Por çfarë parashikon plani i paqes, për të cilin Zelensky kërkoi mbështetjen e udhëheqësve botërore?

Sipas një transkripti të ndarë nga ambasada e Ukrainës në Indonezi dhe që citohet nga CNN, propozimi prej 10 pikash përfshin garantim të sigurisë radioaktive dhe bërthamore, asaj ushqimore dhe energjetike.

Kërkon lirimin dhe shkëmbimin e të burgosurve, themelimin e një gjykate të posaçme për krimet e pretenduara ruse, parandalim të përshkallëzimit, tërheqjen e trupave pushtuese dhe konfirmim të fundit të luftës përmes një traktati paqeje me Moskën. 

Por i menjëhershëm ishte dhe reagimi i Moskës për këtë çështje. Rusia thotë se Ukraina nuk dëshiron të negociojë duke pretenduar se këtë e konfirmoi plani i paqes i prezantuar nga Kievi në samitin e G20-s.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, shtoi se deklaratat e presidentit Zelensky se nuk do të ketë marrëveshje të reja të Minskut, konfirmojnë qëndrimin e Ukrainës se heziton të negociojë.

“Rusia do të vazhdojë të ndjekë objektivat e saj në operacionin ushtarak në Ukrainë, pasi Kievi refuzoi bisedimet”, tha ndër të tjera zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin.

Lidhur me planin e paqes reagoi dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili ndodhet në Indonezi për samitin e G20-s. Kryediplomati tha se plani i Kievit nuk është realist dhe akuzoi Zelenskin se nuk po dëgjon këshillat e perëndimit.

“Propozimet për paqen në Ukrainë të paraqitura nga presidenti Volodymyr Zelensky në samitin e G20-s nuk janë realiste dhe të duhurat. Rusia kërkon të shohë fakte konkrete dhe jo vetëm fjalë. Ndërhyrja e presidentit ukrainas në G20-n tregoi që ai nuk dëgjon asnjë këshillë të perëndimit në negociatat me Rusinë.

Edhe njëherë, Zelensky dha prova të një retorike rusofobe dhe agresive. Ne e kemi konfirmuar vazhdimisht me gojën e presidentit se nuk po refuzojmë të negociojmë. Nëse dikush refuzon, është Ukraina. Dhe sa më gjatë të refuzojë, aq më e vështirë do të jetë përfundimisht të negociohet”, tha Lavrov.