Plagosi ish-të dashurën në Vlorë, ky është shkodrani që u kap me pistoletë e granata

Udhëtoi nga Shkodra në Vlorë për tu sqaruar me të dashurën, e cila kishte vendosur të ndahej. Fadil Likaj 30 vjeç sa duket nuk e ka pranuar dot refuzimin e 20 vjeçares nga Berati.
Në sherr e sipër, ai e ka qëlluar me një plumb pistolete vajzën K.Z.

Ngjarja ka ndodhur pranë një lokali ku një djalë ka plagosur me armë zjarri një vajzë e cila është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Vlorës, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Dëshmitarët e shumtë tregojnë se autori ishte i ulur në lokal. Pak minuta më pas ka mbërritur vajza. Debati mes të dyve ka nisur menjëherë.

Mësohet se Likaj e ka tërhequr zvarrë për disa metra dhe më pas i ka drejtuar pistoletën. E ka qëlluar me një plumb afër kokës. Në çantë ka pasur dy granata, njërën e hodhi në lokal, por fatmirësisht nuk shpërtheu pasi kishte siguresën.

Sipas drejtorit të policisë së Vlorës Bledar Celiku, policia është njoftuar nga një telefonatë ndërsa arrestimi i autorit është kryer brenda disa minutave.

“Ka ardhur një telefonatë në ambientet e Drejtorisë Vlorë që ka patur krisma me armë në afërsi të ambulancës, në një lokal. Falë forcave të policisë që kanë qenë në afërsi është bërë e mundur arrestimi i personit të dyshuar dhe është sekuestruar arma e krimit.”

Likaj akuzohet për vrasje të mbetur në tentative, si dhe posedim të armëve dhe municioneve luftarake pa leje. /abcnews.al