“Plaga e heshtur e grave të dhunuara duhet të ndahet me ne”

"Zëri i Vasfije Krasniqit është zëri i mijëra viktimave që kërkojnë drejtësi. Duke e ndarë historinë e saj, ajo do të na ndihmojë që të zgjojmë zërin e ndërgjegjes brenda nesh", tha kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani

Me rastin e Ditës së Gruas, Kuvendi i Kosovës ka organizuar seancë të veçantë, kushtuar ngritjes së vetëdijes së shoqërisë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku para deputetëve ka folur Vasfije Krasniqi-Goodman, viktimë e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se është e dhimbshme që edhe pas dy dekadave pas luftës, po mbahen ende të heshtura tregimet e dhunës.

Ajo ka thënë se zëri i Vasfije Krasniqit, është zëri i mijëra viktimave që kërkojnë drejtësi.

Osmani ka shtuar se beteja e Vasfijes nuk ka qenë asnjëherë individuale, derisa ka bërë thirrje që të ngritin zërin kundër paragjykimeve.

“Duke u solidarizuar me këto të mbijetuara ne i kujtojmë të gjitha viktimat e luftës së fundit dhe kërkojmë drejtësi për ta. Rrëfimi i sotshëm në institucionin më të lartë, dëshmon për rëndësinë e zërit të grave. Zëri i Vasfije Krasniqit është zëri i mijëra viktimave që kërkojnë drejtësi. Duke e ndarë historinë e saj, ajo do të na ndihmojë që të zgjojmë zërin e ndërgjegjes brenda nesh. Beteja e Vasfijes asnjëherë nuk ka qenë betejë individuale e saj. Ne duhet ta ngrisim zërin kundër paragjykimeve të tilla. Vasfija, Shyhretja e të mbijetuarat janë nderi jonë”, ka thënë Osmani.

E dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman në fjalën e saj drejtuar deputetëve të Kuvendit, tha se shoqëria kosovare vazhdon ta stigmatizojë këtë kategori, madje, Krasniqi-Goodman tha se “edhe nga foltorja e Kuvendit kanë dalë fjalë që na kanë lënduar neve viktimave”.

Ajo u bëri thirrje deputetëve t’i marrin më seriozisht rastet e dhunimeve në luftë dhe të dënohen kryerësit e këtyre veprave, duke theksuar se ajo vetë e ka humbur rastin e saj në drejtësi.

“Ne jemi duke e bërë një punë që ju nuk jeni në gjendje ta bëni për nënën, motrën, e gruan tuaj. Duhet të ndryshoni se ka ardhur fundi. Nuk ua falim atë që na keni bërë ta përjetojmë tash e 20 vjet. Krimet e luftës me i marrë me seriozitet e dënimet me i marrë me seriozitet. Unë nuk do të ndalem që të tjerat të marrin drejtësi, atë që m’u është mohuar mua. Do t’ju lutesha që këto raste t’i merrni më përzemërsisht që të fitojmë drejtësinë”, ka thënë ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se turpi i viktimave të dhunës seksuale nuk është mbi viktimat, “por mbi të gjithë ne të tjerët”.

Kurti, tha se gratë dhe burrat e dhunuar në luftën e fundit në Kosovë ende jetojnë në mes të stigmës, pasigurisë dhe izolimit. Ai e ka theksuar domosdoshmërinë që kriminelët e luftës të dënohen.

Ai e ka bërë të ditur se qeveria është e gatshme ta plotësojë çdo kërkesë të prokurorisë për rritjen e kapaciteteve.

“Jemi të vetëdijshëm për ndarjen e pushteteve. Ju bëj thirrje personave të dhunuar që të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre. Përdhunimet gjatë luftës janë krimet ma të tmerrshme qe kanë ndodhur, por asnjëherë nuk janë diskutuar me Serbinë. Pa ndëshkimin e krimeve të luftës nuk mund te kemi qetësi”, ka thënë Kurti.

Në Kosovë edhe 22 vjet pas luftës, nuk ka ende një aktgjykim përfundimtar fajësues në lidhje me rastet e përdhunimit në kohë lufte.

Më 5 shkurt të vitit 2018 ka filluar punën Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Deri më tani ky komision ka pranuar 1226 aplikacione prej të cilave 785 rasteve u është njohur statusi, 236 u është refuzuar dhe 223 raste janë në rishqyrtim.