“PKK me gjasë po merr frymën e fundit”

Soylu: PKK, e cila për vite është përpjekur ta ndajë këtë vend duke përdorur si arsyetim ndryshimet etnike, me gjasë po merr frymën e fundit

Ministri i Brendshëm turk, Süleyman Soylu, tha se organizata terroriste PKK, me gjasë po merr frymën e fundit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një fjalim në kuadër të festimeve të ditëve kulturore miqësore, të mbajtura në sheshin e bashkisë Çankırı, Soylu është shprehur se Turqia ka zgjidhur problemet që dikush është përpjekur t’i ngurtësojë.

“PKK, e cila për vite është përpjekur ta ndajë këtë vend duke përdorur si arsyetim ndryshimet etnike, me gjasë po merr frymën e fundit. Shihni si po neutralizojmë terroristët nga listat me ngjyrë të personave më të kërkuar. Një nga një po i fshijmë. Ky dimër do të jetë shumë i vështirë për organizatën terroriste. Kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe me punën e fuqishme që heronjtë tanë kanë bërë gjatë verës do të vazhdojmë edhe gjatë vjeshtës dhe dimrit. Kjo do të jetë një periudhë shumë e vështirë për organizatën terroriste”, theksoi Soylu.

Pasi ka përmendur terroristët e neutralizuar kohët e fundit, Soylu tha se “Gjatë gjithë vitit të kaluar neutralizuam 63 terroristë nga lista e të kërkuarve. Ndërsa këtë vit ende pa përfunduar viti bijtë tanë kanë neutralizuar 65 terroristë. Ne po pastrojmë të gjitha mbetjet e tyre”.

Soylu tha se kanë zhvilluar punime të rëndësishme edhe në luftën kundër drogës. “Ne po shtojmë presionin tonë në terren për trafikantët e drogës gjithnjë e më shumë çdo ditë. Si rezultat i operacioneve tona të drogës, ne arrestuam 15.262 trafikantë droge vetëm deri më 18 shtator 2018 dhe i kemi dërguar në burg”, tha ministri Soylu.