Petro Poroshenko: Çështja e Kosovës të zgjidhet me kompromis

"Ne nuk e kemi njohur Kosovën. Mendojmë se problemi i Kosovës duhet të zgjidhet me një kompromis, duke respektuar interesat e Serbisë", tha presidenti ukrainas Poroshenko

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, sot në Beograd deklaroi se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet me kompromis duke respektuar interesat e Serbisë, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se Serbia respekton integritetin territorial të Ukrainës dhe se shpreson që të gjitha problemet në këtë vend të zgjidhen në mënyrë të qetë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Dua qartë të them se e respektojmë integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë. Ne nuk e kemi njohur Kosovën. Mendojmë se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet me kompromis, duke respektuar interesat e Serbisë”, tha Poroshenko.

Ai theksoi se Ukraina mban qëndrimin e integritetit territorial të këtij vendi.

“Ne ruajmë qëndrimin tonë dhe qëndrojmë në pikëpamjen e pavarësisë dhe integritetit territorial të vendit tonë, përfshirë Krimenë dhe po bëjmë çdo përpjekje për të rivendosur sovranitetin e Ukrainës në të gjitha territoret dhe pa kushte llogarisim në mbështetjen e Serbisë lidhur me vendosjen e një misioni paqësor me Kombet e Bashkuara”, tha Poroshenko.

Në një konferencë të përbashkët për media, Poroshenko tha se takimi i sotëm është një vazhdim i bisedimeve në Turqi kur u lëshua në përdorim gazsjellësi Trans Anatolian.

“Ukraina dhe Serbia nuk kanë ndonjë problem në marrëdhëniet dypalëshe”, tha ai duke shtuar se të dy vendet janë shumë afër.

Ai tha se një qëllim strategjik që i lidh këto dy vende është eurointegrimi i Serbisë dhe Ukrainës. Ai shfaqi shpresën se të dyja vendet do të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian deri në vitin 2025.