Peter Zingraf: Shpresoj që vendet e BE-së t’i bashkohen “PO-së” së Gjermanisë

Gjermania i ka thënë po Shqipërisë për çeljen e negociatave. Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare ka deklaruar se parlamenti gjerman votoi me shumicë votash pro hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Gjermania i ka thënë po Shqipërisë për çeljen e negociatave. Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare ka deklaruar se parlamenti gjerman votoi me shumicë votash pro hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

“Në fakt, Gjermania ka thënë po për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe sigurisht që e ka bërë këtë me dëshirën që Shqipëria të jetë një partner i qëndrueshëm dhe i begatë brenda këtij rajoni. Unë shpresoj që këto kushte të jenë në atë masë realiste që ato të mund të shërbejnë së shpejti si një bazë për të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian që ato të mund të thonë të gjitha njëzëri “Po” përkundrejt çeljes së negociatave. Sot për sot nuk jemi ende në këtë moment që të gjitha vendet të thonë “Po”, shpresojmë shumë që nga ana tjetër kushtet që ka vendosur Bundestagu gjerman të mund të shndërrohen më pas si të tilla edhe në kontekstin e Bashkimit Europian”, tha diplomati i sapoemëruar në Tiranë.

“Gjermania ka thënë “PO-në” e vet në kontekstin e hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Ne jemi duke diskutuar dhe dialoguar në mënyrë intensive me të gjithë partnerët tanë të BE-së. Shpresojmë shumë që në Bruksel të merret një vendim i përbashkët në favor të çeljes së negociatave, por nuk mund të themi që sot jemi në këtë moment. Dikush ka thënë që pikërisht procesi i anëtarësimit, i çeljes së negociatave i strukturuar në faza të ndryshme dhe i ndarë në kapituj të ndryshëm është mënyra më e mirë për realizimin e një procesi transformues të një vendi dhe unë mendoj të njëjtën gjë. Jam plotësisht dakord me këtë gjë”, shtoi Zingraf.

Lidhur me reformën zgjedhore, Zingraf tha për ATSH se elementi më i rëndësishëm është ekzistenca e besimit të zgjedhësve në procesin zgjedhor. “Elementi më i rëndësishëm në kontekstin e Reformës Zgjedhore është ekzistenca e besimit të zgjedhësve në procesin zgjedhor dhe në sistemin politik në mënyrë të tillë që ata kur shkojnë të zgjedhin të thonë që këtu gjithçka është në rregull. Shpresoj shumë që ky proces të vijojë me hapa sa më të shpejtë që të jetë e mundur në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme të mund të kemi një bazë të mirë ligjore por jo vetëm kaq. Ekspertët thonë që nuk mjafton vetëm baza ligjore do të duhet edhe që të krijohen kushtet për zbatimin e saj”, vijoi Zingraf në intervistën për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Ambasadori gjerman në Tiranë tha se ka mbetur i befasuar nga mikpritja shqiptare.

“Në fillim më lejoni të them që unë kam mbetur mjaft i befasuar pozitivisht nga mikpritja që kam gjetur këtu në vendin tuaj. Por ajo që më ka bërë më tepër përshtypje është fakti që jam takuar me njerëz të rinj të cilët dëshirojnë ta çojnë vendin përpara, të cilët janë të angazhuar, janë të mirarsimuar dhe të mirinformuar. Dhe shpresoj shumë që këta, pikërisht këta njerëz të mund të kenë dhe t’u jepet hapësira e duhur për të bërë atë çka ata dëshirojnë të bëjnë më të mirën për vendin”, deklaroi ambasadori Zingraf për ATSH.